Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kujton sot, në ditën e tij të lindjes, poetin, shkrimtarin e përkthyesin shqiptar Lasgush Poradeci.
“Vargjet e tij do ta çonin letërsinë shqipe drejt hapësirave të mëdha botërore duke çliruar e modernizuar një gjuhë e letërsi, që me poezitë e tij do të jetonte një përsosje”, shkuan QKLL në një postim në rrjetet sociale.
Llazar Sotir Gusho i njohur me emrin Lasgush Poradeci, lindi 123 vjet më parë (27 dhjetor 1899), në Pogradec. Studimet e shkollës së mesme ai i kreu në Manastir e Athinë, më pas studioi në Bukuresht (1921) dhe në Grac të Austrisë në vitin 1924.
Familja e tij ka luajtur një rol të veçantë në çeljen e Shkollës së Parë Shqipe në Pogradec, në vitin 1887. Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937, u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.
Ndër të tjera shkroi, poemat “Eskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj.
Lasgushi është autor i më shumë se 100 poezive, një pjesë prej të cilave edhe poezi dashurie. Ishte adhurues i fjalëve arkaike, shprehjeve filozofike popullore, po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore për një amë të re. Kuteli që i redaktoi “Yllin e zemrës” e quajti “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkroi vetëm në gjuhën shqipe”.
Lasgush Poradeci mbetet një personazh i jashtëzakonshëm i historisë sonë letrare.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI