SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Memorie. Musine Kokalari, intelektualja që sfidoi regjimin komunist

Më 23 janar të vitit 1946 u arrestua intelektualja shqiptare Musine Kokalari.

Një prej intelektualeve më në zë të Shqipërisë, Musineja do të spikaste që në moshë të hershme për veprimtarinë e saj politike dhe letrare.

Musine Kokalari lindi në 10 shkurt 1917 në Adanë të Turqisë. Tre vite pas lindjes së saj, familja e Musinesë u kthye në Shqipëri. Mësimet e para i mori në qytetin e Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Itali, në Universitetin e Romës, ku u diplomua me rezultate të larta në degën e Letërsisë. Deri në vitin 1944 botoi dy libra: “Seç me thotë nënua plakë” dhe “Rreth vatrës”.

Vendosja e regjimit komunist do të sillte ndryshime rrënjësore në jetën e Musinesë. Në nëntor 1944 iu pushkatuan pa gjyq dy vëllezërit, Mumtas e Vesel Kokalari, ndërsa ajo u burgos për disa ditë. Më 23 janar 1946 u arrestua për herë të dytë. Procesi gjyqësor e dënoi me 20 vite heqje lirie. Në gjyqin e zhvilluar Musine Kokalari do të shprehej:

“Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen.”

Musine Kokalari vuajti 16 vite në burg, dhe më pas u internua në Rrëshen të Mirditës, ku jetoi në kushte tejet të vështira ekonomike dhe plotësisht e izoluar nga shoqëria.

Ndërroi jetë në vitin 1983 nga një sëmundje e rëndë. Pas shembjes së diktaturës, figura dhe vepra e saj dolën në pah dhe u vlerësuan nga institucionet shtetërore. Në vitin 1993 iu dha titulli “Martir i demokracisë”.(Eldira RUZI).///

error: