Si sot, 98 vjet më parë, më 27 gusht 1923, në një pritë të mirëorganizuar, mbeti i vrarë gjenerali italian Enriko Telini, një ushtarak karriere dhe i dekoruar me një sërë medaljesh për kontributin e tij për Italinë.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, që ka përkujtuar këtë datë, thekson se, ajo që çoi në vrasjen e tij, është përcaktimi i kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Më 9 nëntor 1922 Konferenca e Ambasadorëve e zgjodhi Telinin për kryetar të Komisionit Ndërkombëtar të Përcaktimit të Kufijve. Vendimet e marra për përcaktimin e shumë zonave brenda kufirit shqiptar, në bazë të dëshmive të terrenit dhe atyre historike, ngjallën pakënaqësi në radhët e palës greke.
Situata e krijuar vijoi me atentatin ndaj Gjeneral Telinit dhe shoqëruesve që ndodheshin me të, çka solli dhe reagimin e Italisë. Komisioni Hetimor Ndërkombëtar i ngritur posaçërisht për këtë rast vërtetoi se vrasja ishte organizuar nga vetë qeveria greke. Shteti grek u ngarkua të paguante dhe një dëmshpërblim tejet të madh, bashkë me shpalljen fajtor për vrasjen.
Shteti shqiptar e nderoi veprën e gjeneral Telinit duke vendosur emrin e një rruge në kryeqytet dhe bustin e tij më 1933. Më pas Telini u nderua edhe me një shtatore e cila u punua nga mjeshtri Odhise Paskali. Shtatorja u përurua më 27 gusht 1941, siç njofton Qarkorja e Kryeministrisë që ka publikuar DPA. DPA ka publikuar edhe një fotografi ku paraqitet shtatorja e Gjeneral Telinit, si dhe vërtetimin e marrjes në dorëzim të shtatores nga Bashkia e Tiranës. /ATA/
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI