Iluministi dhe ideologu i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri, lindi më 1 qershor 1850, në Frashër të Përmetit.
Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, ku mësoi disa gjuhë të huaja, si greqishten e vjetër, latinishten, frëngjishten dhe italishten.
Më 1872 u vendos në Stamboll, ku nisi veprimtarinë si gazetar, shkrimtar dhe studiues, duke ndërthurur veprimtarinë intelektuale me përkushtimin ndaj çështjes kombëtare. Si bashkëthemelues i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare dhe një nga drejtuesit e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (1879), ai luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e lëvizjes kulturore shqiptare.
Kryevepra e tij mbetet botimi “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, i botuar më 1899 në Bukuresht. Në këtë vepër ai shprehu idetë e tij demokratike për zhvillimin politik e shoqëror të vendit, si edhe për përparimin e arsimit, kulturës dhe shkencës. 57 veprat e botuara në disa gjuhë të botës dhe 20 mijë vëllimet e bibliotekës së tij personale e bëjnë atë një nga enciklopedistët më të mëdhenj shqiptarë.
Edhe pse u izolua nga autoritetet osmane për veprimtarinë e tij thellësisht pro lëvizjes kombëtare shqiptare, Sami Frashëri vijoi punën e cila ndriçoi rrugën e vendit drejt pavarësisë.
Sami Frashëri u u nda nga jeta në Stamboll më 1904, duke lënë pas një pasuri të çmuar në fushën e mendimit patriotik shqiptar. /(Edlira RUZI)///
ME SHUME LAJME
Edvin Ndreu është komanduar në detyrën e drejtorit të Policisë së Vlorës, këtë të hënë, 1 qershor 2026.
Zvërneci dhe elefanti që nuk hyn në vrimën e gjilpërës
Media suedeze “Dagens”: Shqipëria, destinacioni i ri turistik i Evropës, më ekonomik se Spanja dhe Greqia