SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

MEMORIE. Sot kujtojmë Prof. Moikom Zeqon, intektualin e rrallë.

Nga Dorian KOÇI

Sot është ditëlindja e Prof. Moikom Zeqo – një ditë që na fton të kujtojmë me respekt e admirim një nga personalitetet më të veçanta të kulturës shqiptare të kohëve moderne. Ai ishte një intelektual i rrallë, që lëvizi me natyrshmëri midis historisë, arkeologjisë, letërsisë, mitologjisë dhe filozofisë, duke krijuar një univers të pasur idesh që vazhdon të frymëzojë studiues, lexues dhe krijues.

Kam pasur fatin ta kem mik dhe të ndjek nga afër punën e tij të palodhur për historinë, gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar. Bisedat me të ishin gjithmonë një udhëtim intelektual, ku faktet historike ndërthureshin me kulturën botërore, ndërsa e shkuara shqiptare merrte kuptime të reja përmes një mendimi të lirë dhe krijues. Ai zotëronte aftësinë e rrallë për të krijuar një mozaik atje ku të tjerët shihnin vetëm fragmente historie e filozofie.

I paharruar mbetet për mua momenti i përurimit të korpusit të veprave të tij në Muzeu Historik Kombëtar. Ishte një çast i mbushur me emocion dhe krenari, që dëshmonte përmasat e vërteta të kontributit të tij. Përpara syve tanë qëndronte jo vetëm një autor me një bibliografi të jashtëzakonshme, por një mendimtar që kishte ndërtuar një dialog të vazhdueshëm mes Shqipërisë dhe qytetërimeve të botës.

Vepra e Moikom Zeqos mbetet një nga përpjekjet më të guximshme për të kapërcyer kufijtë tradicionalë të dijes. Në shkrimet e tij, historia nuk paraqitet si një rrëfim i ngrirë ngjarjesh, por si një organizëm i gjallë, ku mitet, kujtesa kolektive, arkeologjia dhe letërsia bashkëjetojnë në mënyrë krijuese. Ai i sfidoi vazhdimisht lexuesit të mendonin ndryshe, duke kërkuar kuptime të reja në trashëgiminë tonë kulturore.

Si poet dhe eseist, Moikomi solli një gjuhë të pasur me simbolikë, referenca universale dhe horizonte të gjera kulturore. Ai ishte ndër ata autorë që nuk u mjaftuan me interpretimin e realitetit, por kërkuan ta zgjerojnë atë përmes imagjinatës dhe dijes. Në këtë kuptim, veprat e tij mbeten një thesar intelektual që sfidon kohën dhe i reziston harresës.

Miku ynë Moikom nuk është më fizikisht mes nesh, por prania e tij vazhdon të ndihet përmes fjalës së mençur që na ka lënë trashëgim. Çdo rikthim te librat e tij është një takim i ri me mendjen e tij të jashtëzakonshme dhe me pasionin e tij të pashtershëm për kulturën shqiptare. Në ditëlindjen e tij, kujtojmë jo vetëm njeriun, por edhe veprën që vazhdon të ndriçojë rrugën e dijes dhe të kujtesës sonë kombëtare. I paharruar! ///

error: