SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Ndahet nga jeta Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij Dhimitri.

Ndahet nga jeta Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij Dhimitri. Me hidhërim të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Gjirokastrës, Imzot Dhimitri. Pas një sëmundjeje të rëndë, ai fjeti në Zotin mbrëmjen e 28 qershorit 2025, në orën 20:30, në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Janinës, si pasojë e një infeksioni respirator dhe endokarditi, që çuan në pamjaftueshmëri të shumë organeve.

Imzot Dhimitri lindi në Serres të Greqisë në shtator të vitit 1940. Kreu studimet në Fakultetin e Teologjisë pranë Universitetit “Aristoteli” të Selanikut dhe më pas iu përkushtua jetës monastike në Manastirin e Shën Ekaterinës në Malin Sinai, ku u bë murg në vitin 1974.

Në vitin 1991, iu bashkua veprimtarisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, duke qenë një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Kryepiskopit Anastas. Nga vjeshta e vitit 1994 shërbeu si Protosingjel i Mitropolisë së Gjirokastrës, ndërsa më 11 nëntor 2006 u zgjodh Mitropolit i kësaj eparkie. U dorëzua episkop më 16 nëntor dhe u fronëzua më 26 nëntor 2006 në Kishën e Shenjtë të Kryeengjëjve në Gjirokastër.

Gjatë 19 viteve të shërbesës si Mitropolit, Hirësia e Tij dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ringjalljen e jetës kishtare në Jugun e Shqipërisë. Ai njihej për përkushtimin ndaj ndërtimit të kishave, zhvillimit të katekizmit, veprimtarisë filantropike dhe për forcimin e jetës shpirtërore të besimtarëve. Ishte një figurë me formim të thellë biblik dhe njohës i shkëlqyer i Traditës Orthodhokse.

Shërbeu gjithashtu si Zëvendëskryetar i Fondacionit Arsimor “Fryma e Dashurisë”, duke kontribuar në zhvillimin e arsimit orthodhoks në vend.

Shërbesa e përshpirtjes (trisaia) është kryer në kishëzën e Kryepiskopatës së Shenjtë në Tiranë, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet më 1 korrik 2025, në orën 11:00, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Gjirokastër.

🕊 I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

error: