Nivica, një parajsë deri dje e braktisur dhe e panjohur, po kthehet në një destinacion të rrallë turistik, falë investimeve publike e private, të brendshme e të huaja, në një rrugë që vazhdon ta transformojë Labërinë nga të katër anët.
Banorët e fshatit Nivicë pas viteve ’90 si të gjitha zonat rurale të tjera filluan shpërnguljen drejt qendrave urbane Sarandë, Vlorë, Durrës, Tiranë, etj.
Por sot, falë riparimit dhe ringritjes së të gjitha ndërtesave siç kanë qenë, dykatëshe, ka marrë pamje të jashtëzakonshme.
Investimi në fshatin Nivicë, i bekuar me një natyrë të jashtëzakonshme dhe biodiversitet të pasur, do të shndërronte atë në më shumë se sa një model unik të zhvillimit të turizmit rural.
Nivica, pjesë e projektit ambicioz “100 fshatrat” do të shndërrohej si asnjëherë më parë në një qendër graviteti që do të tërhiqte jo vetëm vëmendjen e turistëve me një 10-fishim të numrit të tyre, por edhe të emigrantëve që tanimë kanë gjetur arsyet për të investuar në tokën mëmë duke restauruar shtëpitë e vjetra.
Petraq Merjo, i cili sot ka ngritur një bujtinë mbi kanion tregon se ishte larguar drejt Greqisë, menjëherë pas rrëzimit të sistemit komunist.
“Punova 10 vite në Greqi dhe pas kësaj u ktheva në Vlorë, për një jetë më të mirë, për një mundësi arsimimi për fëmijët e mi. Pasi punova rreth 20 vite në Vlorë më lindi ideja e rikthimit në Nivicë, sepse pashë dritë jeshile në linjën e turizmit. Isha i pari që hapa bujtinën duke mbështetur arkeologët anglezë që punuan për dy vite me radhë në këtë zonë, njëkohësiht punëtorët që punuan në qendrën e fshatit. Kjo më bëri optimist për vazhdimësinë e punës”, shprehet ai.
Deri tani, në Nivicë janë rikonstruktuar e ndërtuar 25 banesa. Nëse përpara vitit 2016, një truall mund të blihej me vlerën nga 300 mijë deri në 1 milion lekë, sot asnjë pronë nuk është në shitje, qoftë edhe me 10-fishin e kësaj vlere.
Jaho Xhebro, i cili po ashtu ka një bujtinë në Nivicë shprehet se banorët e kësaj zone para se të bëheshin investimet e kishin mendjen të ngritur për tu larguar një orë e më parë, por me ardhjen e këtyre investimeve e bërjen e rrugëve edhe ata që janë larguar po kërkojnë të rikthehen në fshat të rindërtojnë shtëpitë e tyre.
Ai shprehet se që prej vitit 1991 është marrë me përpunimin e qumështit.
“Kam ngritur një baxho në fshat dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonës menduam të ngrejmë edhe një baxho këtu në mal. E kemi ndërtuar që prej vitit 1998. Me kalimin e kohës duke parë që këtu është një klimë e mirë menduam të zgjeronim aktivitetin tonë, duke ngritur edhe një bujtinë me ndihmën e AZHBR-së“, deklaron Xhebro.
Edhe Merjo vuri në dukje se është ngjallur interesi i bashkëfshatarëve për të investuar në këtë zonë.
“Shikoj interes nga bashkëfshatarët e mi. Ata po rindërtojnë shtëpitë e tyre. Edhe brezat që kanë ikur shumë shpejt interesohen për tokat e baballarëve të tyre. Kjo tregon që edhe fëmijët tanëe kanë shumë me interes këtë gjë“, thekson ai.
Tashmë që Nivica është kthyer në një pikë reference për investitorët, e për herë të parë ka nisur të lëvrohet xhiro vjetore nga sipërmarrja lokale.
“Zhvillimi turistik bën edhe zhvillimin familjar. Unë jam lidhur me shumë persona për marrëdhëniet ekoeomike, për të siguruar mish, qumësht, salcë, mjaltë. Kjo tregon se zinxhiri ekonomik po krijohet. Punoj unë punojnë edhe fshatarët e tjerë. Fatmirësisht fjalët u kthyen në vepra. Nivica u lidh në të gjitha drejtimet me rrugë. Kjo bën që të ketë zhvillim të turizmit e ekonomik”, tregon Merjo.
Të njëjtin mendim ndan edhe Xhebro. Ai shprehet se ekonomia ka filluar të lëvizë. “Turistët janë të interesuar për prodhim bio”, thekson ai.
Kështu Nivica, fshati mbi kanion ka hyrë në rrugën e një ekonomie të bazuar te shfrytëzimi i potencialeve natyrore, që është njëkohësisht edhe burim frymëzimi për energjitë njerëzore që kanë lidhur fatin me këtë fshat me sytë gjithmonë nga e ardhmja.
Nivica arriti t’i kthehet identitetit të saj. //ATSH///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade