Nga Frano KULLI
Historia jonë, përgjithësisht ka qenë histori e një populli të munduar fort prej udhëheqësive. Udhëheqësive të huaja e të vendit. Njësoj. Në dyert e SPAK-ut, hyjnë e dalin përditë , si specat, shtetarë të të gjitha rangjeve. Me akuza të mëdha, shumica edhe ministra e ndihmës kryeministra, disa sosh. Por të gjithë dalin duke u zgërdhi që andej. S’di a e keni vu re, “asnjërit nuk i bie syri në qerpik”. Po dua me thanë se anjëri nuk ndjehet i turpëruar. E vetmja ndjesi njerëzore, që së paku, si reminishencë virtyti duhej të shfaqej sado pak në fytyrat e tyre, duket se as nuk ekziston në qenien e tyre. Madje, ndonjëri prej tyre, pafytyrësisht kërkon edhe dëmshpërblim… për një hard disc kompjuteri a s’di se çka. Secili rend mbas asaj pjesës “under ground”, të procesit se si t’ia gjejë anën fashitjes së ndëshkimit… Se sa për ata që i kanë rrejtë a vjedhë, siç akuzat e SPAK-ut thonë, as nuk skuqen as nuk zverdhen.
Në kopertinën e botimit të dytë, të “Gomari i Babatasit”, (Shkoder shtypshkroja At Gjergj Fishta, 1941) poshtë titullit shkruhet edhe ky pohim i mënçur: “Populli i fal ata qi e mundojn, por nuk ka për ti falë kurr ata qi e rrejnë. Montalembert”. (Charles de Montalembert, 15 prill 1810, Londër – 13 mars 1870, Paris, orator, politikan dhe historian, lider në luftën kundër absolutizmit në kishë dhe në shtet në Francën e shekullit 19-të.)
E zgjedhur dhe e vendosur gati si nëntitull i librit, domosdo s’mund të jetë tjetër veçse, një thirrje në ndihmë të lexuesit a si një çelës për të hapë portën kryesore të leximit të veprës. E, siç dihet gjërësisht tashma, kjo vepër-kulm e satirës politike në Shqipëri atëherë kur u shkrua porse edhe sot, ka qenë dhe mbetet e tillë , një kualitet letrar i shkallës së epërme edhe për arsyen e fortë se për lëndë të veprës së vet, autori ka marrë e ka “vu në bisht t’lahutës” siç do të thoshte ai, veset më të shëmtuara të udhëheqësive politike e shtetnore, të cilët, duke livadhisë ndër to (nëpër veset pra), i shkaktojnë një dëm të madh fort e shumë afatgjatë shoqërisë që udhëheqin. Ndoshta, kjo sentenca e mendimtarit të shquar francez, i përshtatet fort edhe shoqërisë shqiptare sot ndaj dhe ka ndodhë kjo përzgjedhje qysh atëherë, kur ende nuk qe mbyllë gjysma e parë e shekullit të shkuar.
Historia jonë, përgjithësisht ka qenë histori e një populli të munduar fort prej udhëheqësive. Udhëheqësive të huaja e të vendit. Njësoj. Dhe, sigurisht, mundimet ia kanë lënë të dukshme gjurmët e vuajtjes njeriut shqiptar. Shpesh ia kanë shformuar edhe cilësisht mjaft virtyte. Po, ja që disa prej tyre, më të shumtat e tyre kanë mbetë e janë ruajt në nëvetëdijen e në shpirtin e tij. Virtyt është edhe neveria e pakapërdishme ndaj rrenave e rrencakut (gënjeshtrave e gënjeshtarit). Për gënjeshtarin publik, gënjeshtarin udhëheqës, sidomos. Se gënjeshtra e tij bën dëm të madh. Ne të gjithë e dimë, tashma se kuti që i mat e peshorja që i peshon shtetarët në demokraci është marrëdhënia e tyre me të vërtetën e me gënjeshtrën. Për fjalët që thonë e për punët që bëjnë. Është mardhënia ndërmjet besimit që iu është dhënë dhe mirëpërdorimit a keqpërdorimit të tij. Tek ne ka ndodhë gjithherë kjo e dyta. Sistematikisht udhëheqësit tanë, kush më pak e kush më shumë, kanë gënjyer. Aq shumë kanë gënjyer, sa kur ndonjëherë ka ndodhë që, ajo çfarë ata kanë thënë edhe është mbajtë si fjalë e thënë, kjo e ndodhur është çmuar e vlerësuar si mrekulli. Rëndom vlerësimi për ta, pra se udhëheqësi është i zoti a i pazoti, i aftë a i paaftë, është përcaktuar se sa e ka spërdredhë fjalën ky ose ai. Pra, sa ka mundur të na mashtrojë. Kjo i ka vënë kapak, si të thuash zotësisë së udhëheqësit…
E meqë i filluam radhët e këtij shkrimi me një kryevepër të satirës politike shqiptare, mbase duhet shpjeguar edhe lidhja e saj me të sotmen, tash një shekull mbas. Thelbi i kësaj lidhje është sjellja e njëjtë e qeverisësve tanë me ne të qeverisurit prej tyre. Për t’u qortuar fort e satirizuar, atëhere dhe sot…
Kryeprijësit, zotit kryeministër, as atij nuk “i bie syri në qerpik” për mëkëmbësit e tij. Është bërë anekdodike thënia e zotërisë për “kumbulla që qenkërkan ngrënë pas shpinës së tij”. Përtej dyerve të SPAK-ut, gjithësa ka ndodhë e po ndodh duhet ta bëjë, më së paku të skuqet prej turpit edhe vetë atë zgjedhësin e “kumbullngrënësve” pas shpinës së tij. E t’u kërkojë ndjesë turmave zgjedhëse për zgjedhjet e gabuara që paska bërë, që, siç duket deri tani po e kalojnë numrin e zgjedhjeve të pagabuara. Se ata, zgjedhësit, turma, populli pra, këtij ia ka besuar zgjedhjen për ta prirë vendin e jetën e tyre për nga e mira e prosperiteti.
Pos të tjerash edhe turpe janë të gjitha këto, zoti kryeministër. Turp është “avullimi” aq shumë i përfolur i pasurive kombëtare, nga Porti i Durrësit e deri në Sazan… Turp janë krizat e përvitshme energjitike në Shqipërinë me rezerva ujore më të shumtat në Europë. Është fyerje e madhe e inteligjencës së shqiptarëve të krenohesh para tyre se nuk po ngre çmimin e energjisë. Turp është ta çosh për skrap Rafinerinë e naftës në Ballsh e për qytetarët shqiptarë ta shesës naftën me çmimin më të shtrenjtë në Europë, zoti kryeministër.
Turp është mjerimi në Bulqizë e në minierat e tjera si ajo. Turp janë rrenat tuaja tuaja të pambarimta ndër dekada, zotërinj shtetarë. Turp për ju që na e latë vendin “trokë”, këtë vend që vetë Zoti e ka begatuar dhe rinisë i dhatë rrugët e botës. Po turp është edhe urdia e “këshillonjësve” e mbrojtësve tuaj medialë të tipit Ba(l)t-on, që rrumbullojnë 15 mijë euro në muaj, përlyer nëpër llogaritë aq fort të diskutueshme të djegësve të plehrave qytetëse, për pushtimin mashtruesh që u kanë bërë ekraneve të kazanëve tuaj propagandistikë e deformimin e lirisë së shprehjes. Që të mbledhura së bashku, besoj e kalojnë indeksin e rritjes së pensioneve qesharake, zoti kryeministër. ./ Flasshqip.ca///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI