Partia Demokratike ka kërkuar që Kryeministri Edi Rama të shkarkojë nga detyra Erion Veliajn i arrestuar me urdhër të SPAK për akuza korrupsioni dhe pastrimi parash, dhe bashkia e Tiranës të shkojë në zgjedhje.
Në një deklaratë për mediet, kryetari i këshilltarëve bashkiakë në Partinë Demokratikë në bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti kërkoi që të përdoret i njëjti standard që është përdorur në rastin e ish-kryebashkiakëve të tjerë të cilët kanë pasur probleme me drejtësinë.
“Ne kërkojmë të përdoret i njëjti standard që është përdorur në rastin e Elvis Roshit në Kavajë, Shukri Xhelilit në Dibër, Safet Gjicit në Kukës, Jorgo Goros në Himarë, etj. Për shkelje në magnitudë shumë më të ulët se Veliaj, këta ish-kryetarë bashkish janë shkarkuar ose u është kërkuar dorëheqja, për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve vendore, siç përcaktohet me ligj”, nënvizoi më tej Alimehmeti.
Sipas Alimehmetit, emërimi i kryetares së deleguar të bashkisë Tiranë është “në kundërshtim të plotë të Kushtetutës dhe të çdo ligji në fuqi”.
“Shumë qartë është e përcaktuar se pushteti qendror dhe pushteti vendor janë të pavarur nga njëri-tjetri dhe përcaktimi i drejtuesve të tyre vjen vetëm përmes votës dhe organeve përfaqësuese të zgjedhur përmes saj. Kjo do të thotë, shumë qartë, se detyra në këtë rast i takon kryetares së Këshillit Bashkiak, Romina Kuko, e cila hesht, si edhe 60 anëtarëve të tjerë të Këshillit Bashkiak të zgjedhur përmes votës”, tha Alimehmeti.
Alimehmeti theksoi se “kërkojmë, konform Kushtetutës dhe ligjit, shkarkimin e ish-kryetarit të Bashkisë Tiranë, dhe zgjidhjen e problemit të krijuar nga dyshja Rama-Veliaj përmes votës së lirë të qytetarëve të vjedhur të Tiranës. Tirana ka nevojë për zgjidhje të fortë, të qëndrueshme dhe ndryshim. Këtë zgjidhje nuk e ofron Rilindja që solli vdekjen klinike të saj”. (Marseda QEFALIA).///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI