Nga Karlo BOLINO
Rituali përsëritet, i pandryshueshëm në kohë, njësoj si arroganca dhe etja për pushtet që ka Sali Berisha. Pas çdo zgjedhje të humbur, Berisha denoncon manipulime, sepse të vetmet zgjedhje që i konsideron të lira dhe të ndershme janë ato që fiton. Dje, kur sapo dolën rezultatet e votimit elektronik që dekretuan fitoren e dukshme në Kamëz, Sali Berisha e cilësoi atë fitore si ”provë” që procesi ishte manipuluar në mënyrë digjitale. “Dhe ky është fakt”, theksoi disa herë, duke ngatërruar bindjen e tij personale me të vërtetën. Sipas Berishës provë e manipulimit është thjeshtë fakti se ai nuk fitoi. E gjitha këtu. Delirit të tij iu shtua kori i analistëve të tij që nga studiot e televizionit të pavarur të të birit, i konsideronin ato 6000 vota diferencë të marra nga Partia Socialiste në Kamzë si një provë më shumë të manipulimit. “Si ka mundësi që në Kamzë Berisha merr 6000 vota më pak se socialistët, normale që kanë manipuluar”. Logjik! Për të çertifikuar konkluzionet e tyre përdorën si dëshmi një teknik të faqeve ueb që prej disa muajsh është vetëshpallur si ekspert i sigurisë informatike, duke arritur të emërohet si konsulent i Belind Këlliçit në fushatën e tij elektorale triumfuese, duke u bërë kështu veçse ekspert, edhe i pavarur. Tamam siç i pëlqejnë Berishës. “Eksperti digjital”, pa asnjë fakt dhe pa asnjë kompetencë, premtoi një denoncim në SPAK kundër KQZ-së se sipas ai ka manipuluar sistemin e votës elektronike “duke përdorur një çelës usb”. Cirku mediatik me Sali Berishën në qendër vazhdoi për orë të tëra pretencën e mërzitshme kundër manipulimit të votës elektronike që veç Kamzës dekretoi fitues PS-në edhe në Elbasan dhe në Vorë.
Pastaj gjatë natës nisën të mbërrijnë edhe të dhënat e numërimit të votave në mënyrë manuale dhe fitorja socialiste filloi të mbulonte bashki pas bashkie, gjithë Shqipërinë. Mes pak bashkive të fituara nga Meta dhe Berisha, shkëlqen Himara ku kryebashkiaku Fredi Beleri mori 19 vota më shumë se rivali i tij socialist, fitore që e shijon nga burgu pasi u arrestua për blerje votash! Imagjinojmë se ato skeda do të rinumërohen pasi diferenca është tepër e ngushtë dhe duke u bashkuar me arsyen e arrestimit të tij dhe precedentët elektoralë të aleatëve të tij politikë, ndonjë dyshim është legjitim. Por për televizionin e pavarur të Berishës ai i Himarës është një triumf pa asnjë dyshim: pra 6000 vota më pak në Kamëz janë provë e manipulimit, ndërsa 19 vota më shumë në Himarë, janë fitore e padiskutueshme. Ka ndodhur gjithmonë kështu. Në 2011 për Berishën ishin fitore e qartë dhe legjitime edhe 12 votat e ripeshkuara brenda një kutie që i dhanë bashkinë e kryeqytetit Lulzim Bashës. Berisha e kujton mirë se çfarë bëri në maj 1996, kur votat i vodhi me dhjetëra mijëra, jo nga 10. ///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.