SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Piluri kujton mbi gjashtë dekada histori të grupit legjendar të polifonisë

Në fundjavë u zhvillua edicioni i parë i Ditës së Grupit të Pilurit, një aktivitet kushtuar grupit legjendar të polifonisë shqiptare që për më shumë se gjashtë dekada ka lënë gjurmë në kulturën kombëtare.

Në Qendrën Muzeu i Fjalës “Lefter Çipa”, në Pilur, u mblodhën anëtarët e brezave të ndryshëm të grupit, banorë, miq dhe admirues të këngës labe për të kujtuar historinë dhe trashëgiminë e tyre. Mes interpretimesh të këngëve që i bënë të njohur në Shqipëri e më gjerë, ish-anëtarët ndanë kujtime nga vitet e arta të grupit, sollën në vëmendje historitë, udhëtimet e koncertet që i bashkuan ndër vite. Ishte një ditë emocionesh të sinqerta, ku nostalgjia u ndërthur me krenarinë për një trashëgimi artistike që vazhdon të frymëzojë brezat.

Aktiviteti, i mundësuar nga Bashkia Himarë dhe Qendra Muzeu i Fjalës “Lefter Çipa”, synon të kthehet në një traditë të përvitshme, në nderim të Grupit të Pilurit.

Një vlerë të veçantë aktivitetit i shtoi edhe bashkëpunimi me Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), të cilat kontribuuan me fotografi të rralla nga arkivat e tyre, duke sjellë në vëmendje historinë e Grupit të Pilurit dhe pjesëmarrjen e tij ndër vite në Festivalet Folklorike Kombëtare, si edhe momente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Vlorës. Ekspozita fotografike u kthye në një udhëtim kujtese, ku çdo imazh risolli emocione, histori dhe krenarinë për një grup që mbetet simbol i polifonisë shqiptare.

Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa, e pranishme ne aktivitet vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit, duke theksuar se është kënaqësi që Agjencia Telegrafike Shqiptare kontribuoi me fotografi nga arkivi i saj historik, të cilat dokumentojnë një pjesë të vyer të historisë së folklorit shqiptar. Sipas saj, këto imazhe janë kujtesë dhe identitet, pasi sjellin në vëmendje jo vetëm Grupin e Pilurit, por edhe Festivalet Folklorike Kombëtare, pasurinë e kostumeve, valleve dhe traditave të Labërisë e Vlorës.

Zhupa theksoi se nxjerrja e këtij arkivi para publikut i jep jetë historisë dhe ndihmon në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, ndërsa kujtoi se iso-polifonia shqiptare vazhdon të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare, siç dëshmon edhe përfshirja e saj në kolonën zanore të filmit “The Odyssey”.

“Grupi i Pilurit në jetën dhe veprimtarinë e vet shënoi kulme të kreativitetit, të pasurisë së fjalës, shënoi kulme të arritjes së noviteteve melodike, shënoi kulme në estetikën e paraqitjes dhe të interpretimit të artistëve që nxorri Piluri. Ishte një sipërmarrje në kohë të vështirë por ishte i pasur shpirti”, u shpreh Aleksander Çipa, i biri i Lefter Çipës, drejtuesit dhe frymëzuesit të Grupit të Pilurit.

Milto Gjiçani, i lindur në Pilur në 1948 dhe që tërë jetën ka jetuar aty, rrëfen se mësoi fyellin që në moshën 9-vjeçare. Ai kujton se, nga fundi i 1966-ës, në Pilur, shkoi Lefter Çipa dhe krijoi grupin, ku Miltoja mori pjesë me fyell.  Ky anëtar i Grupit të Pilurit tregon se grupi fitoi njohje dhe vlerësim të gjerë pas pjesëmarrjes në Festivalin Folklorik Kombëtar, me pjesën “Bejkë e bardhë”, një këngë tashmë e njohur e polifonisë labe.

Kristo Çipa, Mjeshtër i Madh, drejtues i Ansamblit Folklorik “Bejkë e Bardhë-Pilur”, pasues i grupit të dikurshëm, tha për ATSH-në se në 11 dhe 12 shtator do të organizohet Festivali Folklorik “Netët e Bejkes së Bardhë”, edicioni i shtatë.

Ai shpjegoi se, “Bejka e bardhë” është simbolika e jetës baritore që ka bërë Piluri. “Bejka, delja e bardhë, është simboli i femrës së bukur. Pasi u këndua kënga “Tundu, bejkë e bardhë tundu”, këngëtares nuk i thirrën më me emrin e saj por “Bejkë e bardhe”, thotë Çipa.

Iso polifonia në Pilur. Fotot nga Andrin Hoxha(Edlira RUZI)///

error: