Nga Pirro Naçi/
Vetëm në këto dy fjalë, në reagimin e njerëzve, apo biseda, kupton boshllëkun e madh që ka zënë vend sa herë bie fjala për një nga figurat më të shquara të kohës antike, Pirros së Epirit.
Ne që jetojmë akoma në ‘’kufijtë’’ e kësaj ‘’mbretërie’’ ndoshta na ‘’shqetëson’’ edhe diçka tjetër. Disa e duan Ilir, disa Helen, disa e duan Çam… Shumë mirë bëjnë, le ta besojnë, kjo është madhështia e një figure historike që gjithmonë frymëzon .…por historia i ka dhënë përgjigjet e saj. Atë nuk e bën më të madh origjina, por veprat dhe historia që ai ka lënë.

Për mua pak rëndësi ka se ishte ilir, grek apo çam, lab a kinez. Për mua ka rëndësi figura dhe vepra e tij. Grekët e lashtë ishin gjitonët e Ilireve. Parthenonën e bënë grekët por nuk do të thotë se kjo mrekulli mund të krenojë një gjerman, një anglez, apo francez më shumë se një shqiptar…!!! Le t’i hedhim një sy historisë dhe të shikojmë kush ishte Pirrua i Epirit?
Djali i Mbretit të Epirit, Aekidit sundoi rreth viteve 330-313 p.e.s. dhe Fthias , vajzës së Menonos nga Farsala e Larisës i dëgjuar dhe i famshëm në betejat e Lamisë. Troada, gjyshja e Pirros kishte motër Olimpiadën, nënën e Aleksandrit të Madh. Nga gjeneza, të dy strategët e mëdhenj kanë lidhje me dy figura të shquara të epokës së lashtë. Herakliut, njeriut me fuqi të mbinatyrshme dhe Neoptolemeut djalit të Akilit që themeloi mbretërinë e Molosëve…
Epiri dhe Mbretëria e tij fillonte nga gjiri i Ambrakisë në jug dhe shtrihej deri në malet Akroceraun të Epirit e deri në rrjedhjen e mesme të Vjosës në veri. Fiset më të rëndësishëm ishin Molosët, Thesprotët e Kaonët. I gjithë bregdeti i Jonit i përkiste kësaj Mbretërie. Ekziston një version në mitologjinë e lashtë greke që emrin Deti Jon e ka mare nga nga fisi i Chaonëve. Pirrua duke u nisur nga gjeneza dhe lidhjet me Aleksandrin e Madh, ëndërronte të bënte të njëjtën gjë si ai, por dhe diçka më shumë. Atë, që nuk mundi të bëjë Aleksandri dhe strategët e dëgjuar të tij. Ti drejtoheshin Perëndimit, Evropës, Romës, pasi të mbaronin me Indinë, Egjiptin, Libinë e Afrikën.
Në moshën dy vjeçare humbi prindërit nga forcat kundërshtare maqedonase dhe epirote të cilat kishin pushtuar pallatin mbretëror të Aekidit në Molosi. E shpëtuan njerëzit e Aekidit dhe e çuan në Iliri tek Glaukia. Deri në moshën 9-vjeçare ai qëndroi në mbretërinë e Glaukias i cili kishte mposhtur kërcënimet e Kasandrit, armikut më të madh të Aekidëve. Pas kthimit nga Iliria në Epir gjendja nuk ishte e përshtatshme për Pirron dhe u vendos në pallatin e Antigonit në Azinë e Vogël.
Pas vdekjes së Aleksandrit, ai ishte një figurë qendrore në “Luftërat e Pasardhësve”. Punoi për të ribashkuar Perandorinë tashmë të ndarë të Aleksandrit midis ushtarakëve dhe njerëzve më të afërt të tij, Ptolemeut, Selefkos dhe Lisimakut të cilët sundonin në Egjipt, Aleksandri, Libi, një pjesë të Afrikës, Trakën dhe Maqedoninë, etj. Synimet e Antigonit u shuan pas humbjes në betejën e famshme në Ipsos.
Por në këtë betejë u veçua Pirrua për cilësitë e tij të larta luftarake, për guximin dhe trimërinë. E mori në oborrin e tij një tjetër stateg i Aleksandrit, Ptolemeu. Ai u bë sundimtari i Egjiptit, madje donte të shpërngulte qendrën e Mbretërisë Maqedonase në Babiloni. Ptolemeo e mori Pirron në Pallat duke i dhënë mësime të karakterit ushtarak por dhe më gjerë. Pirrua harxhonte shumë kohë duke lexuar në bibliotekën e famshme të Aleksandrisë, për artin ushtarak e deri tek muzika dhe problemet ekonomike. Ai ushqente tek Pirrua idenë për ta vendosur në fronin që i takonte, në Epir dhe më tej, të kontrollonte Maqedoninë dhe pjesën tjetër të mbretërive Helene, në atë kohë të ndara midis Dimitri Poliorkitit dhe Lisimakut.
Ptolemeu e marton Pirron me gruan e parë, Antigonin, vajzën Vereniqit. Ptolemeu ishte njerku i Antigonës. Pas kësaj martese i jep Pirros ushtri dhe një arsenal të madh ushtarak, me shumë anije e elefantë dhe vendoset në Epir. Ai fillon të rindërtojë vendin duke i dhënë parësi punimit të tokës, blegtorisë dhe artizanatit. Për pak kohë nga një vend i varfër dhe i prapambetur bëhet një nga mbretëritë më të pasura dhe të zhvilluara. I dha rëndësi zhvillimit të kulturës dhe artit duke ndërtuar amfiteatro, objekte kulti dhe ndërtoi qytete sidomos në Mollosi dhe në Kaoni.
Gjatë sundimit të Pirros, Epiri zhvilloi një politikë të pavarur dhe vendosi marrëdhënie diplomatike me shtetet e fuqishme të kohës. Njohu një lulëzim të jetës qytetare, me veprimtari te dendur ndërtimesh në qendrat e vjetra dhe me ngritjen e qyteteve të reja. Pirroja i zgjeroi kufijt e shtetit të ri të Epirit në kurriz të fqinjëve. Në veri shkoi deri në lumi Shkumbin, në lindje deri në Vardar kurse në jug pushtoi tokat poshtë në Korint. Vendosi lidhje martesore me fiset Ilire. Një nga gratë e Pirros ishte Birkena, vajza e Bardhylit nga Dardania…Me Birkenën bëri një djalë që e quajti Eleno. Në moshën fare të re djali shoqëroi në fushatën ambicioze në gadishullin Italik dhe më vonë në Peloponez…
Padyshim një nga faqet më të lavdishme të Pirros është lufta dhe betejat që ai zhvilloi në Itali. Me kërkesën e grekëve të qytetit të Tarantëve, në vitin 280 p.e.s., Pirroja zbarkoi me ushtri të madhe ne Italinë e Jugut. Në luftën që zhvilloi i theu keq Romakët por edhe Epirotët pësuan humbje të mëdha. Pas disa fitoreve radhazi në Sicili dhe pas humbjes që pësoi në vitin 273 p.e.s., u kthye në Epir ku përsëri nuk qëndroi i qetë. Me ushtrinë e tij hyri në Mbretëritë Helene, ku u vra gjatë luftës që zhvilloi më 272 p.e.s. në qytetin Argo.
Mendohet se vari i tij ndodhet diku në rrethinat arkeologjike në periferi të Dodonës, ose të Paramithjasë, ose diku në Artë… Nuk po ndalem më gjatë me Pirron dhe historinë e tij.
***
Atë mund ta bëjë çdo kush, që ka dëshirë dhe vullnet. Doja të shprehja dy fjalë për statujës apo maketin e Pirros e përgatitur dhe e pasqyruar ne këtë faqe . Unë ndoshta nuk jam njeriu i pështatshëm për këtë punë.
Saranda ka nxjerë ka njerëz të ditur dhe artistë e skulptorë të talentuar që mund të realizojnë një vepër arti për Pirron e Epirit në një nga vendet siç është Kaonia ku zënë fill pjesë nga historia dhe fama e këtij strategu të madh. Nga brigjet e Jonit Pirrua nisi rrugëtimin drejt Italisë. Hanibali strategu Romak i dha Pirros vendin e dytë pas Aleksandrit të Madh, kurse vetes së tij vetëm të tretin….!!!
***
Dhe për ta mbyllur po përmend edhe një fakt. Pothuajse një shekull më parë Luigi Ugolini më 1928 zbuloi në qytetin antik të Butrintit, në një nga rezidencat e Mbretërisë së Pirros, skulpturën e DEA-as, që përfaqëson sipas shenimeve te vete Ugolinit, perëndinë Apollon…
E, qysh atëherë kjo figurë u përzgjodh sidomos nga organet lokale si simbol që na lidh me periudhën antike. Për figurën e Pirros sa shekuj duhet të kalojnë për të marre pak nga shkëlqimi i tij ?///SARANDANEWS.AL///
ME SHUME LAJME
Njësitë elitë të policisë në Shqipëri e Greqi, stërvitje të përbashkët në Tiranë
Mot me kthjellime, shtim gradual i vranësirave pas mesdite
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll