Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Ermal Muçaj, në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se, në kuadër të një megaoperacioni antidrogë të koduar “CAMPER”, janë arrestuar 4 shtetas rumunë të cilët shtireshin si turistë dhe ndaheshin në çifte duke marrë me qira rulotë me të cilët trafikonin drogë nga Shqipëria.
Muçaj, tha se, “në kuadër të këtij operacioni, sot, në orët e para të mëngjesit, u bë e mundur kapja dhe prangosja e 4 shtetasve rumunë që transportonin një sasi prej 260 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, me 2 automjete luksoze të tipit “Camper”, me targa rumune, me qëllim trafikimin e kësaj lënde në shtetin grek e më tej”.
Konkretisht tha ai, u arrestuan në flagrancë shtetasit: M. C., 20 vjeç, M. C., 20 vjeçe, F. T., 24 vjeç dhe A. P., 21 vjeçe, të katërt me shtetësi rumune. Gjithashtu janë shpallur në kërkim 5 shtetas, si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale, por për arsye hetimi të dhënat e tyre nuk bëhen publike.
Muçaj informoi se, gjatë kontrollit të automjeteve të tyre, në tentativë për të dalë nga territori shqiptar, u gjetën të fshehura në një ndarje të fshehtë dhe të përshtatur artificialisht, në automjet, një sasi prej 260 kilogramë lëndë narkotike.
Sipas tij, vendet e fshehta të përshtatura u zbuluan në të dy CAMPERAT e sekuestruar.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, për llogari të disa bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, tashmë të shpallur në kërkim, kamufloheshin si turistë, duke marre me qera campera luksozë, dhe të ndarë në dy çifte kryenin trafikimin e lëndës narkotike nga vendi ynë për në Greqi dhe më tej”, deklaroi ai.
Muçaj vuri në dukje se nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti, si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë të bashkautorëve të tjerë shqiptarë tashmë të shpallur në kërkim nga Policia.
Policia e Vlorës është e angazhuar maksimalisht për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Vlen të theksohet se strukturat e DVP Vlorë, muajt e fundit, janë angazhuar maksimalisht, falë dhe bashkëpunimit dhe besimit të qyetarëve, për të parandaluar ngjarjet kriminale, për goditjen e kultivimit në ambiente të mbyllura dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade