Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, njoftoi se në kuadër të mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në vend, Këshilli i Ministrave ka miratuar shpalljen e disa aseteve të reja si “Pasuri Kulturore të Paluajtshme”.
Ndër vendimet e miratuara përfshihet shpallja e Ansambli Arkitektonik Urban në Delvinë, një zonë me vlera të spikatura arkitektonike dhe urbanistike, që synon ruajtjen e identitetit historik të qytetit, si dhe rijetëzimin dhe administrimin e integruar të trashëgimisë.
Po ashtu, është shpallur pasuri kulturore edhe Zona arkeologjike A në Bushat, një sit me potencial të lartë arkeologjik, i cili dokumenton zhvillimet e hershme të vendbanimit që nga periudha e Bronzit deri në atë helenistike.
Në listën e re përfshihet edhe Parku Arkeologjik Bylis–Klos, një kompleks i rëndësishëm historik që bashkon qytetet antike të Bylisit dhe Nikajës, duke i trajtuar si një njësi të vetme funksionale dhe kulturore.
Gjithashtu, vendimi parashikon edhe zonifikimin dhe administrimin e Parku Arkeologjik Orikum sipas zonave arkeologjike A dhe B, duke synuar një menaxhim më të specializuar të një siti me vlera të veçanta arkeologjike dhe peizazhore.
Sipas ministrit, këto vendime kanë si emërues të përbashkët përpjekjen për rimëkëmbjen e entiteteve historike, konsolidimin ligjor të statuseve mbrojtëse dhe nxitjen e investimeve konkrete.
Qëllimi është mbështetja e komuniteteve lokale dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i potencialit turistik dhe ekonomik që mbart trashëgimia kulturore e vendit.(Gjergji Mima)///
ME SHUME LAJME
Zvërneci, Rama: Disa qeverisin për projektin e BE-së, të tjerët zgjedhin të protestojnë
Sarandë. Gjendet një armë zjarri në shëtitore pranë ‘Centralit’.
Pse 1 milion protestues nuk e rrëzuan Vuçiçin edhe pas 2 vjet protestash?