SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Rama: Kosova me pikë doganore në portin e Durrësit dhe Porto Romano

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot trendin konstant rritës në shkëmbimet tregtare me Kosovën, ndërsa siguroi angazhimin për të lehtësuar më tej këto shkëmbime.

Në forumin e biznesit Shqipëri-Kosovë, Rama tha se “ne besojmë se potenciali është më i madh dhe përtej asaj që i takon biznesit, është detyra jonë të lehtësojmë shkëmbimet tregtare, aktivitetet e bizneseve dhe ndërveprimin e tyre nga shteti në shtet”.

Rama tha se një pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara sot adresojnë këtë çështje.

“Tani kemi një plan veprimi të përbashkët për të zbatuar procedurat e tranzitit në zyrën e doganës së Kosovës pranë portit të Durrësit për mallrat me destinacion Kosovën, që ka nisur që në janar 2019 dhe ndërkohë ka nevojë për përmirësime të mëtejshme”, tha Rama.

Rama theksoi se “këto akte të përbashkëta sigurojnë një zbatim 100% të gjithë regjimit të tranzitit me një reduktim kostoje të konsiderueshme për bizneset e Kosovës që tranzitojnë përmes Shqipërisë”.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se “një marrëveshje tjetër e firmosur sot për lehtësimin e tregtisë mes palëve do të bëjë lehtësimin e mëtejshëm të gjithë procesit të procedimit në doganë dhe hyrje-daljeve të mallrave”.

Rama tha se edhe për frutat dhe perimet garantohet lehtësim drastik i procedurave të transportit, bazuar në njohjen reciproke të certifikatave fitosanitare. Kjo, shtoi ai, “do të realizojë kërkesën legjitime të çdo eksportuesi të këtyre mallrave delikate që të mos ketë 2 herë kontrolle dhe pritje.

“Kemi bërë njohjen reciproke të licencave të agjencive tatimore, që kryerja e tranzitit në territorin e njërës apo tjetrës Republikë të jetë e unifikuar. Përcaktimi që në zonën doganore të portit të Durrësit dhe në Porto Romano vendosen zyrat doganore të Kosovës besoj se është një lajm pozitiv”, shtoi Rama.

Për barrierat jotarifore, Kryeministri tha se “jemi të vetëdijshëm që është bërë progres, por ka akoma problematika dhe ka edhe probleme të vazhdueshme që ndikojnë në koston e produkteve për transport”.

“Kemi marrë me radhë nga çështja e skanimit që është një problem i madh por në këtë rast kemi edhe skanimin e dyfishtë, një tjetër hall i madh i bizneseve. Është reflektuar ulja nga 100% skanim, vetëm në 10% skanim në doganën shqiptare, në bazë risku, ose në bazë të kanalit të kuq, që e lehtëson ndjeshëm problematikën”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se lehtësimi i jetës së përditshme të sipërmarrjes përkthehet në më shumë shkëmbime tregtare.

“Kemi pasur vite të tëra problem që të pranonim se plumbçet e njërit shtet të njihen nga shteti tjetër. Kjo ka sjellë pritje pa fund në kufi për të vendosur plumbçet autoktone në çdo anë, një torturë më vete për biznesin. Këtu përsëri është marrë një masë konkrete”, tha më tej ai.///

error: