SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Rama me ambasadorët: Fitorja e mandatit të tretë më bëri më të përulur ndaj qytetarëve

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi, për ta bërë Shqipërinë çdo vit një shtet më të besueshëm, më funksional, më demokratik e më të ngjashëm me një anëtar të BE-në, koha fluturon dhe frustrimi i shqiptarëve rritet”, u shpreh Kryeministri Edi Rama në takimin tradicional të fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë.

Rama tha se “kemi bërë gjithçka duhej, sërish e sërish, për të na dhënë dritën jeshile për hapin tjetër dhe sërish e sërish, na kanë penguar forca që janë përtej kontrollit tonë”.

“Ky është një fakt jetësor dhe ndërkohë që ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi, për ta bërë Shqipërinë çdo vit një shtet më të besueshëm, më funksional, më demokratik e më të ngjashëm me një anëtar të BE-në, koha fluturon dhe frustrimi i shqiptarëve rritet”, tha ai.

Kryeministri u shpreh se “fitorja e një mandat të tretë rekord nuk më bëri të ndjehem i pamposhtur, por më i përulur se kurrë karshi njerëzve të Shqipërisë, të cilët na e dhanë besimin mua dhe partisë time, ndërkohë që me plot të drejtë presin më shumë prej nesh”.

“Më lini të rrëfehem, për mua personalisht, fitorja ishte njëkohësisht e ëmbël dhe e hidhur. Ndjeva se nuk kishim bërë mjaftueshëm për të shëruar dasitë, në një vend të përndjekur ende nga e shkuara, ku lajmësi duhej vrarë përpara se sa të dëgjohej mesazhi e ku kundërshtari politik ende shihet jo si një kundërshtar me të cilin duhet angazhuar, por si një armik që duhet shkatërruar”, tha ai.

Kryeministri shtoi se, “pas një fitoreje të tillë, më përndjek më shumë se asnjëherë më parë, pafuqia e pushtetit për të ecur aq shpejt sa do të duhej me modernizimin e një vendi, i cili humbi aq shumë dekada përmes diktaturës e më pas rrumpallës, varfërisë absolute e më pas korrupsionit, nga shteti njëpartiak e më pas nga keqqeverisja”.

“Kur kqyr shpejtësinë frenetike të kalimit të kohës në detyrë përkundrejt shpejtësisë së mundshme të ndryshimit në vend, ndihem tejet i sëkëlldisur. E di që ritmi i ndryshimit nuk mund të jetë kurrë mjaftueshmërisht aq i shpejtë sa duhet për t’iu përgjigjur vorbullës së dekadave të mbushura me aspirata që u rritën si dëshira të penguara”, tha ai.

Rama tha se “një mandat i tretë krejt i pashembullt për të udhëhequr vendin është një nder e privilegj, të cilin jam shqiptari i parë që e kam”.

“Për mua kjo është diçka kaq e rëndësishme e kaq detyruese ndaj njerëzve të këtij vendi, saqë nuk i gjej dot fjalët për ta shprehur dhe jam i vendosur të jap gjithçka nga vetja, për ta shpërblyer këtë aq sa kjo të jetë e mundshme për një njeri”, shtoi ai.

Kryeministri u shpreh se “viti që vjen është vit kyç për Shqipërinë teksa përgatitet të zërë vendin e saj në janar, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, një institucion që më mirë se kushdo tjetër mishëron frymën e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë që përkufizon punën e përditshme të të gjithëve ju”.

“Është një mundësi historike për Shqipërinë, një vend ende i shenjuar nga dekada izolimi e paranoje, armiqësie kundrejt kombesh të tjera, bunkerizimi në rrugët e veta të të bërit të gjërave dhe delirimi rreth motiveve të të tjerëve në rrugët e tyre. Fakti që tashmë jemi në gjendje të bashkëngjitemi në Këshillin e Sigurimit, me vende të tjera që nuk i shohim më si armiq për t’u luftuar, por si aleatë me të cilët duam të ndërtojmë një botë më të mirë, flet vetë për se sa gjatë kemi rrugëtuar”, tha ai.

Por gjithashtu, Rama theksoi se “kjo mundësi historike vjen në një kohë tejet sfiduese, jo vetëm për Shqipërinë, por po njësoj për të gjitha vendet tuaja, Ballkanin, Europën dhe gjithë botën”.

“Është një kohë posaçërisht jo e lehtë për asnjë prej nesh dhe sfidat me të cilat përballemi duken ndonjëherë shumë më të mëdha nga sa ne mund të përballojmë. Shumë më e madhe është gjithashtu nevoja që kemi për njëri-tjetrin, vende të vogla apo të mëdha, vende të zhvilluara apo në zhvillim, perëndimorë apo lindorë, veriorë apo jugorë. Ndërkohë që merremi me një krizë dhe një krizë tjetër na shfaqet përballë, në atë çka duket se është bërë gjendje e përhershme emergjence, bëhet themelore që të mos e lëmë gjendjen e emergjencës të pushtojë krejtësisht mendjet tona”, tha ai.

Kryeministri theksoi se “është jetike që të mos tërhiqemi në izolim, duke dyshuar në gjithçka është ndryshe nga ne, te mos frikemi prej asaj që nuk mundemi të kontrollojmë”.

“Shqipëria e di më së miri se cila është kostoja e izolimit. Ne nuk kemi ç’mësime të ndajmë me botën, përveç njërit: Një mësim që e kemi marrë me pahir të madh: Asnjë vend nuk e menaxhon dot vetëm një situatë si kjo”, tha ai.

Rama tha se “sfidat e reja me të cilat përballemi janë gjithnjë e më shumë të paparashikueshme”.

“Ato nuk i pranojnë përshtatjet e zgjidhjeve të provuara e stërprovuara të së shkuarës, me vendet e mëdha që u japin mësime vendeve më të vogla. Jemi të gjithë rishtarë përballë këtyre sfidave, jemi të gjithë të njëjtë përballë tyre dhe duhet të mësojmë nga sukseset e nga dështimet e njëri-tjetrit. Një plagë e hapur në cepin më të humbur të planetit, mund të jetë një goditje e mundshme fatale mu në zemër të tij. Pasojat, siç kemi mësuar nga pandemia, janë të menjëhershme kudo. Dhe pasojat po zgjasin”, tha Rama.///

error: