SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Rama: Në prill i japim vendit një President normal, këshillohemi me qytetarët për emrin e ri

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në muajin prill na duhet të zgjedhim Presidentin e Republikës.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama u shpreh se në harkun kohor të këtyre zhvillimeve, fare pak më tutje në muajin prill na duhet të zgjedhim Presidentin e Republikës dhe do ta zgjedh ky grup parlamentar në radhë të parë.

Rama e konsideron dialogun me opozitën të vështirë, me ndarjen e PD-së në dy pjesë dhe në dy grupe parlamentare.

“Komplikimi i skajshëm i situatës me krijimin e dy Partive Demokratike na e bën të vështirë të gjemë adresën se ku ta kërkojmë dialogun me opozitën parlamentare, por ndërkohë ne duhet të mendojmë për mënyrën sesi mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje. Dhe në një rrugë apo në një tjetër duhet të gjejmë rrugën për të mbledhur opinionet e njerëzve lidhur me figurën e presidentit apo presidentes së re të Republikës pas një serie personazhesh që e kanë degraduar figurën e presidentit në një prezencë minuse në institucionin e kreut të shtetit”, tha ai.

Rama shtoi se, ne kemi përgjegjësinë e madhe qytetare politike dhe kushtetuese që ti japim popullit shqiptarë në krye të shtetit një njeri normal në radhë të parë. Një kryetar apo kryetare shteti që t’i kthej normalitetin njerëzor, moral dhe institucional zyrës së Presidentit të Republikës.

Rama nuk përjashtoi mundësinë e një zgjedhje të Presidentit nga diaspora.

“Nuk do të bjerë nga qielli, me siguri do gjendet mes nesh këtu në mes nesh në territorin e Republikës së Shqipërisë apo në territorin shpirtëror të Kombit tonë sepse mund të jetë edhe jashtë Republikës së Shqipërisë, por e kemi detyrim që t’i japim asaj zyre mundësinë që për 5 vitet e ardhshme të ketë një njeri normal, një qytetar normal, një figurë moralisht dhe profesionalisht normale. Prandaj do ju lutesha të gjithëve të mendojmë në këtë sens dhe cilido që ka një idenë sesi mund të organizohemi në këtë drejtim të ndajnë me drejtuesin e grupet çdo ide dhe ndërkohë mund të organizojmë në vijim dhe një bashkëbisedim se si mund të ndërtojmë një proces gjithëpërfshirës të opinionit publik në këtë vendimmarrje”, tha Rama. ///

error: