SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Shqipëri-Greqi, qendër të përbashkët policore dhe doganore

 Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për ngritjen dhe funksionimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore”.

Të ftuar për prezantimin e nismës ishte Andi Mahila, zëvendësministër i Brendshëm, si dhe përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Mahila bëri një prezantim të detajuar të projektligjit, i cili synon ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj greke, për ngritjen dhe funksionimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore, e cila do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër krimit ndërkufitar, krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij, migracionin e paligjshëm, etj.

Zëvendësministri sqaroi se qendra do të pozicionohet në territorin e Republikës së Greqisë, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës dhe kjo nuk do të sjellë mbivendosje me organet doganore e policore, pasi qendra do të ketë detyra të mirëpërcaktuara dhe të pavarura nga detyrat e organeve doganore dhe policore.

Për sa i përket kostove financiare, Mahila sqaroi se do të përballohen nga programi buxhetor “Policia e Shtetit”, ndërsa për stafin nuk do ketë efekte financiare shtesë, sepse punonjësit do të jenë pjesë e strukturës aktuale të Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Deputetja Enslemvera Zake, në cilësinë e relatores vlerësoi projektligjin e propozuar duke theksuar rëndësinë që paraqet kjo marrëveshje për shkëmbimin e informacionit mes dy vendeve në fushën policore dhe atë doganore. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi///

error: