Shqipëria dhe Kosova do të nisin punën për studimin e fizibilitetit të projektit për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë.Në kuadër të mbledhjes së dy qeverive që po mbahet në Prishtinë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku si dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu bënë të ditur detaje nga marrëveshja sipas së cilës, Shqipëria do të paguajë 1 milion euro, ndërsa Kosova 980 mijë euro për hartimin e projektit.
“Kjo marrëveshje synon përcaktimin dhe ndarjen e kostove. Fondi i përcaktuar për të gjithë projektin është 1 milion e 980 mijë euro, kështu që Shqipëria do të mbulojë 51 % të këtij financimi dhe pjesa tjetër do të mbulohet nga Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës”, tha ministrja Balluku.
Sipas saj, ky studim tejkalon një projekt infrastrukturor.
“I përket një projekti kombëtar të shumëpritur dhe është pjesë e një projekti të madh, të integruar, që ka të bëjë me ndërtimin e portit të Durrësit dhe integrimin e ndërtimit të kësaj hekurudhe në këtë projekt të madh. Kjo linjë hekurudhore është nisja e një korridori të ri, duke qenë se një nga problematikat që kemi hasur është përjashtimi i Shqipërisë, më shumë se ai i Kosovës, nga korridoret qendrore të Europës, duke dhënë mundësi që ky mjet transporti, shumë efikas, pjesë e axhendës së gjelbër të BE-së, të kthehet në një nga më të rëndësishmit për qytetarët shqiptarë në dy anët e kufirit”, tha Balluku.
Ministri Aliu u shpreh se Kosova do të kërkojë që ky korridor të njihet si pjesë e korridoreve hekurudhore europiane, pasi do të shkurtonte rrugët edhe për portet e tjera të rajonit.
“Linjën hekurudhore që lidh Durrësin me Prishtinën, e që në Prishtinë krijon “portin e thatë të Durrësit”, ne e shohim të rëndësishme në nivel kombëtar. Nga ana tjetër, i shërben edhe zhvillimit ekonomik, pasi rrit kapacitetet e Portit të Durrësit, sepse Prishtina mund të shpërndajë mallrat përmes rrugës hekurudhore në të gjithë rajonin. Është sfidë që të njihet si korridor”, deklaroi ministri.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI