SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

 Shqipëria kontributore në NATO për të garantuar sigurinë e të gjithë popujve

 Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria mbetet, jo vetëm një aleat i fortë e besueshëm i SHBA-së dhe i NATO-s, por në të njëjtën kohë bëhet hap pas hapi një pikë gjithmonë e palëvizshme referimi në kontinentin tonë. Rama përshëndeti sot nisjen për herë të dytë në Shqipëri të stërvitjes së përbashkët shumëkombëshe, drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA-së, “Defender Europe 2023”.

“Vitin e shkuar erdhi lajmi i mirë nga Komanda e Forcave Speciale Operacionale e SHBA-së që operon në Evropë për ngritjen në Shqipëri të shtabit të bazës të Forcave Operacionale Speciale, çka dëshmon edhe njëherë që Shqipëria mbetet, jo vetëm një aleat i fortë e besueshëm i SHBA-së dhe i NATO-s, por në të njëjtën kohë që Shqipëria bëhet hap pas hapi një pikë gjithmonë e palëvizshme referimi në kontinentin tonë”, theksoi Rama. Po ashtu, kryeministri solli në vëmendje aeroportin e Kuçovës, i cili së shpejti do të jetë në funksionim si një bazë e re operacionale e NATO-s.

“Shpresojmë shumë edhe për portin që do të ketë një komponent për të bërë të njëjtën gjë si aeroporti, duke funksionuar si një tjetër bazë operacionale e NATO-s, por këtë herë për Forcat Detare”, shtoi Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se, “jemi në kushtet kur mund të themi me plot gojën se një faqe e re e historisë sonë po shkruhet dhe në këtë faqe të re ne jemi, jo vetëm konsumatorë, por edhe kontributorë në këtë Aleancë të madhe për të garantuar sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë popujve tanë”.

“Me një falënderim të posaçëm për të gjithë ju që jeni angazhuar në këtë stërvitje dhe natyrisht me një respekt dhe mirënjohje të posaçme për aleatët tanë strategjikë, ju uroj të gjithëve vetëm sukses në këtë përpjekje të përbashkët për diçka që është shumë më e madhe se ne dhe për diçka pa të cilën ne nuk do të ishim ata që kemi kërkuar gjithmonë të jemi”, shtoi ai.///

error: