Maurizio Costanzo nuk jeton më. Gazetari e moderatori i famshëm, me një karrierë të gjatë në ekranin italian, mbylli përgjithmonë sytë në moshën 84-vjeçare. Maurizio Costanzo u nda nga jeta në Romë dhe lajmi u konfirmua nga zyra për shtyp e tij.
Për vite me radhë Costanzo ishte autori dhe prezantuesi më i rëndësishëm i televizionit italian. Programi i tij Maurizio Costanzo Show, për të paktën 1 dekadë u konsiderua si salloni i medias par excellence, sa i dashur aq edhe i ‘frikshëm’ për personazhe të njohur e politikanë.

I lindur në Romë, më 28 Gusht të 1938-s, Costanzo sapo mbaroi liceun, vendosi të ndjekë ëndrrën e tij të madhe, të bëhej gazetar. Karriera e tij nisi në 1956 si gazetar i kronikës në të përditshmen romane, Paese Sera: ishte vetëm 18 vjeç.
Më pas kaloi te Corriere Mercantile, në Genova dhe në 1960 u bë kryeredaktor i të përjavshmes Grazia. Debutimin radiofonik e pati në 1963 si autor i programit Canzoni e nuvole. Falë personalitetit të fortë dhe një krijimtarie të jashtëzakonshme, Constanzo nisi në ato vite një ngjitje të shpejtë drejt suksesit.
Gjatë fundit të viteve 70-të, Costanzo vendosi në televizion një formë të re argëtimi: talk-show. Fillimisht me Bontà loro (1976-1978), më pas me Acquario (1978-1979), për të vijuar me Grand’Italia (1979-1980). Pas një eksperience të shkurtër me Fascination, në 1982, Costanzo nisi atë që edhe sot e kësaj dite konsiderohet si modeli i talk-show italian, Maurizio Costanzo Show.

Në atë periudhë, Costanzo u përqendrua në program edhe në luftën kundër mafias. Mik i afërt me gjykatësin Giovanni Falcone, ai arriti deri aty sa dogji një bluzë në transmetim direkt ku shkruhej “mafia made in Italy”.
Më 14 Maj të 1993, një makinë e mbushur me tritol shpërtheu në ajër në Romë, pak metra nga Teatri Parioli, vendndodhja historike e programit, pikërisht gjatë kohës kur Costanzo po kalonte me makinë. Fatmirësisht atentati ishte pa pasoja. Fama e Constanzo arriti majën me programin Buona Domenica, ku prezantoi disa rubrika.

Nga vitit 1995 deri në 2009-n ai ishte profesor në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit në Universitetin La Sapienza të Romës. Në 2009-n Universiteti IULM i Milanos, e vlerësoi me titullin Honoris Causa, në gazetari, botim dhe multimedia.
Edhe sentimentalisht, Costanzo pati një jetë plot ngjarje: pas 3 martesash me Lori Sammartino, Flaminia Morandi, me të cilën pati 2 fëmijë, dhe Marta Flavi, si dhe një bashkëjetesë të gjatë me Simona Izzo, në vitin 1995 u martua me Maria De Filippi, me të cilën adoptoi Gabriele në 2004.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI