Nga Komani në Ksamil, si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të kryera gjatë javës, janë kontrolluar 321 mjete lundruese, nga të cilat 20 janë bllokuar për shkelje të ndryshme.
Policia e Shtetit informoi sot se konkretisht janë bllokuar 11 jet ski, 5 skafe, 3 gomone dhe 1 varkë metalike me motor uji të instaluar. Ndërsa 8 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100.000 lekësh secili.
Gjithashtu, janë shpëtuar në det 38 shtetas (shqiptarë dhe të huaj) dhe 17 mjete lundruese, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare nga Ksamili në Koman.
Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese: mos shkelni perimetrin e sigurisë; lundroni vetëm në zonat e lejuara; pajisuni me mjetet e nevojshme të shpëtimit; dhe mos ndërmerrni iniciativa lundrimi me mjete të vogla kur kushtet e motit nuk janë të favorshme.
Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të lundrimit apo të perimetrit të sigurisë, në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.
Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare vijon monitorimin e hapësirës detare, liqenore dhe lumore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë./(Klodi SARAÇINI).///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Lavazh makinash” por shisnin kanabis, arrestohen dy.
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri