Për sezonin turistik veror 2025 kanë nisur aplikimet e fazës së dytë për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur se “të gjithë subjektet të cilët kanë aplikuar përmes portalit “e-Albania”, për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi për sezonin turistik veror 2025 dhe janë njoftuar për të vijuar me fazën e dytë të aplikimit kanë afat deri në datën 30 prill të ngarkojnë në portalin “e-Albania” dokumentacionin e kërkuar”.
Kumbaro tha se “janë mbi 1000 parcela plazhi publike, 800 udhërrëfyes të certifikuar, mbi 170 operatorë detarë të certifikuar dhe mbi 400 mjete ujore të certifikuara, që janë garancia e standardeve dhe sigurisë për sezonin veror 2025, për të cilin është punuar çdo ditë të vitit”.
Të drejtën për të përdorur hapësirën e plazhit e kanë subjektet private që janë të kategorizuara si: “Bujtinë, Fjetinë (Hostel), Hotel, Resort, Qendër kurative, Fjetje dhe mëngjes, Apartament/vilë”, që kanë jo më pak se 5 dhoma dhe “Bllok apartamentesh”, që janë dy ose më shumë apartamente në të njëjtën vendndodhje dhe menaxhohen nga i njëjti sipërmarrës turistik, që kanë jo më pak se 5 dhoma.
Faza e parë ishte ajo e aplikimit dhe dorëzimit të dokumentacionit, ndërsa në të dytën saktësohet aplikimi, gjenerohet mandati i pagesës dhe caktohet planvendosja përkatëse të stacionit të plazhit.(Klodi SARAÇINI)///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI