Fuqia e stuhisë “Ciaran’ që goditi pjesën më të madhe të Europës dhe kaloi në vendin tonë mesditën e 3 nëntorit ra në orët e mbrëmjes, ku reshjet ishin më të dobëta ndërsa uji u tërhoq nga rrugët.
Ndërkohë Shërbimi Meteorologjik Ushtarak paralajmëron se reshjet e shiut në formën e shtrëngatave dhe shkarkesave elektrike pritet të ketë edhe nesër dhe të dielën, 5 nëntor.Policia e shtetit ka kaluar në gadishmëri në të gjithë vendin për të menaxhuar situatën ndërsa evidenton si zona me rrezik më të lartë: Tiranën, Lezhën, Fushë Krujën, Durrësin dhe Elbasanin.
Në mbrëmje, Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në facebook përcolli apelin qytetarëve të bëjnë kujdes ndërsa theksoi se të gjitha strukturat shtetërore janë në terren për të siguruar kthimin në normalitet
“Pas përkeqësimit të shpejtë të motit që të gjitha strukturat shtetërore në terren për të siguruar kthimin në normalitet. Grupet e punës janë në gatishmëri për të garantuar që akset rrugore të jenë të hapura si dhe për të siguruar furnizim me energji elektrike. Drejtuesit e automjeteve të evitojnë lëvizjet e panevojshme dhe të respektojnë me përpikmëri rregullat e qarkullimit rrugor” shkruajti Rama.
Zonat me risk te lartë sipas policisë
• Lezhë, rrugët urbane dhe rrugët interurbane lidhëse;
• Fushë Krujë, rrugët në zonën urbane dhe rrugët lidhëse interurbane;
•Tiranë, rrugët urbane dhe ato interurbane;
•Durrës. rrugët urbane dhe rrugët interurbane lidhëse me Tiranën dhe me pjesën tjetër jugore;
• Elbasan, rrugët në zonën urbane dhe rrugët interurbane lidhëse.
Në mesditë pati probleme të furnizimit me energji elektrike në Fier, Kavajë, Tiranë, Kukës, Koplik, Gjirokastër dhe Vlorë.
Përmbytjet
Tiranë – Në mesditë reshjet e pazakonta që përfshinë kryeqytetin përmbytën disa rrugë në Tiranë, duke krijuar dhe një bllokim të lëvizjes së makinave me orë. Situata më e vështirë ishte pranë ‘Pallatit me Shigjeta, ku lumi Lana doli nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të Unazës. U njoftua dhe për përmbytje të disa bizneseve dhe magazinave dhe banesave në katet e para të ndërtesave. Po kështu si pasojë e shiut dhe erës së fortë në afërsi të Pallatit me Shigjeta u shkëput një objekt, i cili dëmtoi në kokë një 37-vjeçar, punonjës i Komisariatit të Policisë Rrugore. Në afërsi të zonës së Kinostudios tek Rruga Ura, një pemë u thye duke bllokuar qarkullimin. Bashkia njoftoi se po punonte për zhbllokimin e dhjetra segmenteve nga pemet e rëna prej stuhisë së fortë.
Durrës – Në mesditë disa rrugë u bënë të pakalueshme për këmbësoret dhe automjetet. Situata më e rënduar ishte në lagjet pranë stadiumit “Niko Dovana” dhe në rrugën që lidh shëtitoren Taulantia me pjesën tjetër të qytetit. Edhe autostrada Tiranë-Durrës u bllokua nga trafiku. Edhe në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, qarkullimi u bllokua, pasi rrugët janë përmbytur deri në disa centimetra, siç shihet edhe nga videot e siguruara nga Report Tv. Në një tjetër video të siguruar nga Report Tv, policia rrugore shihet duke pastruar autostradën në aksin Rinas-Tiranë, nga degët e thyera të pemëve.Ndërkohë stuhia ka rrëzuar pemë të cilat kanë bllokuar segmente rrugore
Dibër – Stuhia bllokou dhe rrugën e Arbrit. Uji përmbyti tunelet dhe urën e një fshati pranë. Në mbrëmje, në dalje të qytetit të Klosit, për shkak të pranisë së dendur të ujit, një pjesë e rrugës tek nyja që lidh qytetin me rrugën e Arbrit, ka pësuar dëmtime dhe për këtë arsye është bërë devijimi i lëvizjes së mjeteve që lëvizin nga Klosi për në Tiranë.
Shkoder – Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, ka patur rrëshqitje të dherave në aksin rrugor “Theth-Bregu i Lumit-Shalë-Shkodër”. Si pasojë ky aks rrugor është bllokuar dhe është ndërprerë qarkullimi i automjeteve. Në qytet era e fortë rrëzoi një pemë të madhe pranë bashkisë duke zënë poshtë 4 makina.
Elbasan – Stuhia goditi dhe Elbasanin por deri në mbrëmje nuk u raportuan problematika në qytet apo në qark.
Gjirokastër – Reshjet intensive bllokuan në mbrëmje aksin nacional Permet-Tri Urat në vendin e quajtur Redhi i Badlonjës.
Portet – Kushtet e përkeqësuar atmosferike në gjirin e Vlorës dhe Shëngjin, sollën edhe pezullimin e lundrimit të mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit në mesditë. Sipas njoftimit të kapitenerisë së portit të Vlorës, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve. Ndërkaq në Shëngjin shpejtësia e erës në det hapur është 18m/s, ndërsa dallgëzimi ka arritur deri në 7 ballë.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit pritet të jetë ditën e nesërme pas orës 20:00.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade
Rregullat për plazhet. Zbardhet kontrata e re, gjoba deri në 400 mijë lekë dhe rastet kur prishet kontrata