Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka mbajtur ditën e sotme një qëndrim zyartar për videon e 21-vjeçares nga Librazhdi e cila u kap në shtrat me të dashurin e saj nga vjehrri dhe vjehrra.Bëhet me dije në njoftimin për mediat se video e shpërndarë është cënim i të drejtave të së resë dhe prekje e privatësisë gjithashtu.
Njoftimi i plotë:
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, si një e drejtë dhe liri themelore e njeriut, po monitoron me kujdes veprimtarinë e organeve mediatike dhe/ose portaleve online gjatë ditëve të fundit, në lidhje me cenimin e jetës private të qytetarëve.
Duke marrë shkas nga pasqyrimi mediatik i një ngjarjeje familjare në Librazhd, Zyra e Komisionerit vlerëson se publikimi i këtyre pamjeve dhe videove përbën cenim të jetës private me pasoja të rënda, të pariparueshme dhe të pakthyeshme e ku përveç dhunës fizike të ushtruar ndaj individëve të përfshirë në këtë rast, ata mund të përballen me dhunën mediatike, e cila për nga përmasat e pasojave është po aq e rëndë sa vetë aktet e dhunës të ushtruar ndaj tyre.
Zyra e Komisionerit, në referim të nenit 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në përmbushje të detyrimeve të ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, kërkon nga subjektet e këtij sektori dhe/ose individë/entitete të tjera që përdorin mjete/forma të komunikimit masiv të jenë shumë të vëmendshëm përsa i përket informacionit personal/sensitiv të publikuar/shpërndarë apo detajeve të panevojshme për çështje që nuk përbëjnë dhe nuk i shërbejnë aspak “interesit publik”.
Ushtrimi i të drejtës së lirisë së shprehjes nuk është i pakufizuar dhe duhet realizuar e balancuar e në mënyrë proporcionale me të drejtat dhe liritë e tjera themelore të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, apo në aktet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë: Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa 108 “Për mbrojtjen e individëve nga përpunimi automatik i të dhënave personale” të Këshillit të Evropës, etj.
Zyra e Komisionerit tërheq vëmendjen e organeve mediatike për ushtrimin e veprimtarisë së tyre në funksion “të interesit më të lartë publik”, duke përmbushur me përgjegjshmëri, transparencë dhe etikë parashikimet e legjislacionit në fuqi dhe veçanërisht, dhënien fund të transmetimit, qarkullimit, publikimit apo shpërndarjes me çdo formë/mjet të të dhënave personale në cenim të të drejtës për jetë private.
Redi Skënderaj
Zëdhënës
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI