
Protesta e shoqërisë civile për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe produkteve ushqimore e nisur pasditen e sotme para Kryeministrisë u zhvendos në zonën e ish-Bllokut, ku në hyrje, tek ura e Lanës, aktivistët bllokuan qarkullimin e automjeteve.
Protestuesit janë ulur në rrugë, duke mos lejuar kalimin e automjeteve, duke krijuar radhë trafiku në një nga zonat me më shumë qarkullim në kryeqytet.
Pas fjalimeve të mbajtura nga aktivistë të shoqërisë civile, protesta është shpërndarë, ndërsa protestues të tjerë janë nisur drejt komisariatit për të kërkuar lirimin e qytetarëve të ndaluar nga policia në ditën e parë të protestës.
Mediet raportuan për shoqërime të tjera në komisariat si në Tiranë, ashtu dhe në disa qytete të vendit, ku po ashtu sot protestuesit kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve.
Mediet raportuan se protesta kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe produkteve ushqimore u përshkallëzua gjatë mbrëmjes në Tiranë, me protestuesit që janë përplasur me policinë. Raportohet e Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën në kryqëzimin e Gjykatës së Lartë dhe KQZ-së.Policia e Shtetit reagoi gjatë mbrëmjes, duke sqaruar se në vijim të protestës së zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë përfundimit të protestës disa grupe të rinjsh kanë bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, si dhe kundërshtuan thirrjet e punonjësve të Policisë për të mos bllokuar rrugët pasi bllokimi i tyre përbën vepër penale.“Nisur nga situata e krijuar, Policia e Shtetit bën thirrje për personat që kanë bllokuar rrugët dhe kundërshtojnë punonjësit e Policisë, të ndalin menjëherë këto veprime dhe të shpërndahen, pasi do përballen me forcën e ligjit”, njoftoi Policia e Shtetit.“Policia e Shtetit është e vendosur të jetë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, edhe të atyre që protestojnë në mënyrë paqësore, si një e drejtë kushtetuese, por nga ana tjetër, Policia e Shtetit nuk do të tolerojë veprime që bien ndesh me ligjin dhe cenojnë rendin e sigurinë, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve”, përfundoi njoftimi./atsh///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit