Drejtuesja politike e Partisë Demokratike për Diasporën, Jozefina Topalli u shpreh sot se nëse trendi i regjistrimit vazhdon kështu si ka nisur, mund të jenë 150-200 mijë votues të diasporës.
E ftuar në një studio televizive, Topalli u shpreh se diaspora është një fuqi elektorale e jashtëzakonshme që ka potencialin për të ndryshuar çdo gjë në Shqipëri dhe për të bërë rotacionin politik.
“Nuk do të guxoja të jepja një numër, sepse është shumë e vështirë të flasësh për numra. Kjo është hera e parë që bëhet votimi i shqiptarëve jashtë dhe në vetvete kjo është një sfidë planetare. Është vështirë ta përcaktosh cili mund të jetë trendi. Ne ndjekim me vëmendje përqindjet e shqiptarëve që janë regjistruar, nëse vazhdon ky trend mund të shkojë 150-200 mijë, por është herët për të pasur një shifër të përafërt”, tha Topalli.
Sipas saj, “diaspora nuk është vetëm një faktor ekonomik, por është edhe një faktor politik”.
“Diaspora do të kushtëzojë forcat politike dhe qeveritë e ardhshme, sepse forcat politike do të jenë shumë të ndjeshme ndaj diasporës. Është një e drejtë kushtetuese e vonuar, por një e drejtë e tyre që i takonte prej kohësh”, tha ajo.
Topalli theksoi se “PD po punon me qendra digjitale, me strukturat e partisë dhe me grupe jashtë strukturave të partisë”.(Maela MARINI).///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit