Drejtuesja politike e Partisë Demokratike për Diasporën, Jozefina Topalli vlerësoi sot se diaspora ka një potencial shumë të madh për të sjellë ndryshimin në Shqipëri.
Në një intervistë televizive, Topalli u shpreh se tashmë është momenti i ndryshimit të madh dhe diaspora në këtë aspekt ka të gjithë potencialin për të ndihmuar për të hapur një kapitull të ri për vendin.
Sipas saj, “ky kapitull është i domosdoshëm qoftë edhe për të stopuar largimin e shqiptarëve, që nëse do të vazhdojë përsëri sjell një perpektivë shumë të errët dhe të pasigurt për ekzistencën tonë si komb”.
E pyetur mbi fragmentarizimin e votës së opozitës në parti të tjera të vogla, Topalli bëri të qartë se ajo është thjesht një votë e hedhur dëm.
“Sistemi aktual për fat të keq nuk lejon që forcat e vogla të mund të hyjnë në parlament. Kështu që është votë e hedhur kot. Nuk mund të hyjnë as në koalicion sepse në vitin 2021 ato që ishin në zgjedhjet para 4 viteve kanë ndryshuar Kushtetutën për të hequr mundësinë që të bëhej një koalicion. Mund të bëhej një koalicion dhe të krijohej një front, por me Kushtetutë Rama e zhbëri edhe këtë mundësi”, tha Topalli.
Sipas saj, “janë bërë të gjitha përpjekjet që pushteti të mbahej me ndryshime kushtetuese”.
“Ai tjetri (Basha) i largoi deputetët nga parlamenti. Forca jonë politike ka pasur momente shumë të papërgjegjshme në 8 vitet e para të opozitës. Shyqyr që kjo fazë është mbyllur, është kapërcyer dhe jemi në një fazë të re për të hapur një kapitull të ri për vendin tonë”, tha Topalli.
Ndaj, ajo theksoi se vota për partitë e vogla është thjesht një votë e humbur pasi nuk hyjnë në Kuvend.
“Ka vetëm një alternativë, PD që ka treguar se di të qeverisë, ka treguar se kur duan ta zhdukin ka ditur të qëndrojë dhe që paraqet një program shumë serioz që mund të ndryshojë çdo gjë”, tha Topalli.(Maela MARINI).///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade