Trupi i pajetë i ish-Presidentit Bujar Nishani ka mbërritur në atdhe. Në orët e mbrëmjes makina me arkëmortin kaloi pikën e kufirit të Morinës mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në një ceremoni të improvizuar, forcat policore të pikës kufitare në Morinë nderuan ish-presidentin.
Arkëmorti do të vendoset në sallën “Skënderbeu” në Presidencë, ku familjarët sot do të presin vizita dhe homazhe nga të afërm, miq dhe dashamirës. Homazhet në nder të ish-presidentit do të zhvillohen përgjatë dy ditëve, 1 dhe 2 qershor në ambientet e Presidencës.
Të enjten zhvillohen homazhet zyrtare sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit. Trupi i ish-presidenti do të përcillet në banesën e fundit i shoqëruar nga një kortezh mortor deri te Ura e Lanë e më pas do të përcillet për në varrezat e Sharrës në Tiranë.
Ish-Presidenti i gjashtë i Republikës së Shqipërisë post-komuniste, Bujar Nishani, ndërroi jetë 3 ditë më parë, pasi prej javësh ishte i shtruar në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i kishte lënë në organizëm. Fillimisht, Nishani u shtrua në Senatorium dhe pas rehabilitimit të tij fillestar, ai u rikthye në spital për shkak se simptomat post-COVID i lanë me shenja pneumonie në mushkëri.
Gjendja e tij u stabilizua për pak kohë. Por, më pas, ajo u përkeqësua. Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit.
Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017, ndërsa bëhet presidenti më i ri në moshë që ka ndërruar jetë në Shqipëri.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI