Shqipëria e Jugut, një rajon i njohur për historinë e pasur dhe vendet e saj të Trashëgimisë Botërore të mbrojtura nga UNESCO, po përjeton një transformim të jashtëzakonshëm ekonomik – të nxitur nga rritja e shpejtë e sektorit te turizmit kulturor, sipas “Travel and Tour World” (TTW).
Qytete si Berati, Gjirokastra, Saranda dhe Përmeti po zhvillohen falë investimeve strategjike – që synojnë ruajtjen dhe promovimin e thesareve të tyre kulturore.
Këto iniciativa, të mbështetura nga Banka Botërore (BB) – përmes Projektit të Integruar për Zhvillimin Urban dhe Turistik (PIUTD), po tërheqin investime nga sektori privat dhe po krijojnë mijëra vende të reja pune.
Restaurimi i kështjellave të lashta, arkitekturës osmane dhe bukurive natyrore po ndihmon në riformësimin e ekonomisë së rajonit, duke ofruar mundësi të reja si për banorët vendas, ashtu edhe për ata që rikthehen nga emigracioni.
Turizmi i trashëgimisë kulturore: Një katalizator për ndryshim ekonomik në Shqipërinë e Jugut
Rajonet e Beratit, Gjirokastrës, Sarandës dhe Përmetit kanë qenë prej kohësh të njohura për rëndësinë e tyre kulturore, por tashmë janë kthyer në qendra kryesore investimesh turistike, duke gjeneruar burime të reja të ardhurash dhe mundësi punësimi.
Projekti PIUTD, një bashkëpunim mes Bankës Botërore dhe qeverisë shqiptare, ka udhëhequr restaurimin e vendeve kryesore të trashëgimisë.
Kjo nismë jo vetëm që ka ruajtur integritetin historik të këtyre qyteteve, por ka përmirësuar edhe infrastrukturën, duke i bërë ato më të aksesueshme për numrin në rritje të turistëve.
Projekti ka rikthyer hapësirat publike, ka përmirësuar rrugët dhe ka restauruar ndërtesat historike, duke i kthyer këto qytete në qendra të gjalla të kulturës dhe tregtisë.
Rritje e ndjeshme e numrit të vizitorëve: Ndikimi i restaurimit të vendeve të trashëgimisë
“Rezultatet janë të dukshme. Në vitet e fundit, prurjet turistike në Shqipëri janë rritur ndjeshëm, me një rritje prej 82% të vizitorëve në vitin 2024 – krahasuar me vitin 2019”, sipas INSTAT.
Shifrat për Shqipërinë e Jugut janë edhe më mbresëlënëse.
Qytete si Berati dhe Gjirokastra kanë përjetuar një rritje të numrit të vizitorëve me pothuajse 400% dhe respektivisht, 600% që nga fillimi i zbatimit të PIUTD.
Ky bum turistik ka çuar në rritjen e bizneseve lokale, me një shtim të dukshëm të bujtinave, tureve kulinare dhe aktiviteteve të aventurës në natyrë.
Vizitorët e huaj tërhiqen nga pikat kryesore turistike si, Kalaja e Gjirokastrës, rrugicat piktoreske të Beratit dhe vija bregdetare mahnitëse e Sarandës.
Vendet e trashëgimisë së rajonit, dikur të rrezikuara nga degradimi, kanë marrë një jetë të re, duke u bërë të aksesueshme për vizitorët ndërkombëtarë dhe duke gjeneruar një rrjedhë të qëndrueshme të ardhurash për ekonomitë lokale.
Zgjerimi i industrisë së turizmit në Shqipërinë e Jugut ka sjellë gjithashtu një ndryshim të rëndësishëm në tregun e punës.
Mijëra vende të reja pune janë krijuar në sektorët e mikpritjes, turizmit, transportit dhe zhvillimit të infrastrukturës, dhe ajo që është më inkurajuese është përfshirja e gjerë në këtë rritje.
Projekti është fokusuar në sigurimin që këto mundësi punësimi, të jenë të hapura për grupe, që shpesh përjashtohen nga tregu i punës, si të rinjtë, gratë dhe personat me aftësi të kufizuara.
Për shembull, në Kalaja e Gjirokastrës, disa punonjës me aftësi të kufizuara janë punësuar për të ndihmuar në mirëmbajtje dhe shërbime për vizitorët.
Fokusi në përfshirjen sociale jo vetëm që i ndihmon individët të sigurojnë punësim domethënës, por gjithashtu edhe të kontribuojnë në turizëm.
Ndërsa gjithnjë e më shumë sektorë, nga menaxhimi i restoranteve te guidat turistike, po hapen për grupe të ndryshme, industria e turizmit po bëhet një motor kyç për lëvizshmërinë sociale.
Rritja e sektorit privat: Një ekosistem turistik në zhvillim
Përveç investimeve publike, sipërmarrësit privatë po përfitojnë nga rritja e fluksit të turistëve.
Shumë banorë vendas kanë rinovuar shtëpitë historike – për t’i kthyer ato në bujtina, ndërsa të tjerët kanë nisur eksperienca unike kulturore, nga ture ushqimore deri te ekspeditat e ecjes në natyrë.
Rritja e turizmit të aventurës ka qenë veçanërisht e dukshme, me infrastrukturën e re si, shtigjet për ecje, linjat e autobusit elektrik dhe atraksione si zipline që po zhvillohen në këto qytete historike.
Fokusi për të zgjatur sezonin turistik përtej muajve të verës po ndihmon në stabilizimin e ekonomisë lokale.
Me turizmin gjatë gjithë vitit që po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në vende si, Saranda – ku bizneset tradicionalisht operonin në mënyrë sezonale, Shqipëria e Jugut po krijon një model të ri për turizmin e qëndrueshëm.
Fluksi i vizitorëve ka nxitur gjithashtu investime në infrastrukturën lokale, me shtigje biçikletash, aktivitete ekoturizmi dhe përmirësim të shërbimeve publike, duke e bërë rajonin një destinacion tërheqës – si për vizitorët afatgjatë – ashtu edhe për turistët e fundjavës.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm në Shqipërinë e Jugut është rikthimi i emigrantëve.
Shumë shqiptarë që u larguan jashtë vendit – në kërkim të mundësive më të mira – po rikthehen për të investuar në vendlindjet e tyre, duke e parë rajonin e rigjallëruar – si një terren të favorshëm për biznes dhe inovacion.
Rritja e investimeve nga shqiptarët e kthyer nga emigrimi – është një komponent kyç i transformimit ekonomik në vazhdim.
Për shembull, disa prej tyre kanë investuar në biznese familjare turistike, ndërsa të tjerë kanë ndërmarrë projekte – për restaurimin e pronave të vjetra, duke i kthyer ato në struktura moderne mikpritjeje.
Ky riinvestim në komunitete është një dëshmi e efekteve pozitive të projekteve zhvillimore në këto qytete.
Rezultati ka qenë ringjallja e bizneseve të vogla, e cila nga ana tjetër ka nxitur aktivitetin ekonomik të mëtejshëm dhe ka hedhur bazat për rritje afatgjatë.
Qëndrueshmëria në qendër të zhvillimit turistik
Fokusi te qëndrueshmëria është një shtyllë kryesore e projektit PIUTD.
Përmes planifikimit të kujdesshëm dhe përfshirjes së iniciativave miqësore me mjedisin, Shqipëria e Jugut po pozicionohet si një lider në turizmin e qëndrueshëm.
Restaurimi i vendeve historike, ruajtja e peizazheve natyrore dhe promovimi i praktikave të turizmit të përgjegjshëm – janë elemente kyçe të këtij modeli.
Investimet në infrastrukturë përfshijnë gjithashtu zhvillimin e hapësirave të gjelbra, parqeve publike dhe përmirësimin e sistemeve lokale të transportit, duke siguruar që rritja e turizmit të mos ndikojë në mjedis.
Kjo qasje e balancuar ndaj zhvillimit po ndihmon në ruajtjen e integritetit kulturor dhe ekologjik të rajonit, ndërsa nxit prosperitet ekonomik.
Këshilla udhëtimi për vizitorët në Shqipërinë e Jugut
Eksploroni përtej destinacioneve të zakonshme turistike.
Ndërsa vende si Kalaja e Gjirokastrës dhe Berati janë shumë të njohura, merrni kohë të vizitoni qytete më të vogla si Përmeti dhe Borshi, ku mund të njiheni me kulturën autentike shqiptare.
Sezoni turistik në Shqipërinë e Jugut tashmë shtrihet gjatë gjithë vitit, duke ofruar më pak turma dhe një përvojë më të qetë gjatë pranverës dhe vjeshtës.
E ardhmja: Një perspektivë e ndritur për turizmin kulturor në Shqipëri
Zhvillimi i turizmit në Shqipërinë e Jugut po dëshmon se si investimet në trashëgimi, infrastrukturë dhe qëndrueshmëri mund të transformojnë peizazhin ekonomik të një rajoni.
Përfitimet e kësaj rritjeje nuk janë vetëm ekonomike, por edhe thellësisht sociale, pasi thesaret kulturore dhe natyrore të rigjallëruara të rajonit vazhdojnë të tërheqin vizitorë dhe sipërmarrës.
Me një numër në rritje investimesh në sektorin e mikpritjes dhe një angazhim të fortë për zhvillim të qëndrueshëm, e ardhmja e turizmit të trashëgimisë në Shqipëri duket jashtëzakonisht premtuese. //(Atila KOTA)///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Arrestohet 39-vjeçari, akuzohet për dhunë ndaj babait.
Sarandë. Dy persona u arrestuan për vjedhje.
“Mbolla hashash se isha hallexhi, vetëm shtëpinë fitova” – Banori i Lazaratit: Bashkëpunonim me policinë