Nga Petro DHIMITRI
Më 8 prill në Sarandë për 24 orë u ankorua një kroçierë me turistë. Ishin enthusiastë për Sarandën e bukur, për detin, diellin. Kur dëgjoja ato intervista thashë me vete se stina e turizmit trokiti në derën tonë. Po si jemi përgatitur ne për ta prezantuar te të huajt Shqipërinë e bukur? Kur them e bukur, më kujtohen fjalët e një turisti polak që takova vjet te hotel Selvia e Sarandës. Kishte marrë një ngjyrë bronzi që më bëri përshtypje, prandaj e pyeta sa kohë keni këtu që keni marrë ngjyrë kaq të bukur? M’u përgjigj: ”Jo, jo, këtu kam vetëm disa ditë.
Kam qenë në ishujt e Greqisë ku dhe u nxiva. Unë kam shkuar në të gjitha plazhet e Europës si dhe në shumë plazhe të Botës. Dua të të them se si ky vend nuk kam parë. Për mua ju jeni Karaibet e Europës.” Disa turistë izraelitë alpinistë në Valbonë te bujtina e Kol Gjonit më thanë se ushqimi në Shqipëri është shumë i mirë. Nuk kishin mbetur të kënaqur nga Kroacia dhe Mali i Zi. Natyra e mrekullueshme, ajri i pastër, ushqimi i shijshëm dhe bujaria jonë u lënë mbresa të gjithë turistëve. Edhe kushtet e akomodimit të tyre kanë ardhur duke u përmirësuar shumë. Hotelet në zonat turistike njëri më i bukur se tjetri. Janë ndërtime të reja, pjesa më e madhe me arkitekturë moderne dhe mjedise të mobiluara me shije. Është populli krijues, populli që e do të bukurën që ia kanë ndryshuar faqen tërë zonave turistike, qofshin të vogla, se për të mëdhatë si Durrësi, Vlora, Saranda, etj. nuk bëhet fjalë.
Edhe shteti ka meritën e vet që po e konsideron turizmin prioritet për ekonominë e vendit. Kryeministri Rama ka këmbëngulur shumë për këtë. Megjithatë mund të them pa frikë se na duhet shumë punë për të krijuar traditën për këtë shërbim. Kjo është e kuptueshme. Përvoja jonë është vetëm më pak se 30 vjeçare, ndërsa Greqia, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi , për mos të thënë Italia, Franca, Zvicra, etj. kanë shekuj ose të paktën 100 vjet përvojë. Pavarësisht nga ky fakt, për meritë të popullit tonë të zgjuar dhe mikpritës, diferencën po e ngushtojmë çdo vit. Prandaj dhe gjithmonë po vijnë më shumë turistë .Gazeta prestigjioze të Europës rekomandojnë Shqipërinë si një vend që duhet eksploruar. Për natyrën, për ajrin e pastër, për mikpritjen ,për respektin për të huajt dhe për gatimet e shijëshme. Kjo nuk është pak. Do të thosha që është shumë. Veç ama kujt i ka takuar të shoqërojë turistë ose të bisedojë me ta, duke i pyetur edhe për ndonjë vërejtje që mund të kenë, përgjigja e vetme e tyre ka qenë:PASTËRTIA.
Nuk bëhet fjalë për pastërtinë brenda hoteleve , banesave ku strehohen apo restoranteve, jo. Ato janë më se normale. Fjala është për pastërtinë jashtë hoteleve dhe sidomos për plehrat e shpërndara gjithandej. Kështu më thanë edhe dy turiste ukrainase të cilat entusiazmin për ditëqëndrimet e tyre në Ksamil ia fashisnin pak plehrat që shikonin jashtë hotelit dhe nëpër vënde anash resorteve. Kontrast i madh: bukuri mahnitëse në një anë dhe neglizhencë e turpshme që kjo bukuri nuk mbahet pastër. Kush është përgjegjës që plehërat ndotin mjedisin tonë? Në radhë të parë jemi ne, populli. Pastaj shigjeta ngjitet te shërbimi komunal, te policia, te kryetarët e bashkive, te Ministria e Turizmit dhe përfundon te Kryeministri. Ne, për mungesë edukate, i hedhim letrat, shishet e ujit ose të birrës kanoçet, lëkurët e pjeprave, shalqinjve , të bananeve ,etj. ku të mundim. Jo vetëm kaq. Ka edhe të pandërgjegjshëm që shkojnë e vjedhin kapakët e pusetave për t’i shitur për skrap.
Ka fukarenj që duke kërkuar shishe në kazanët e plehrave, hedhin jashtë kazanëve ç’tu kapi dora. Pastaj themi se e ka fajin shteti.E ka fajin Edi Rama! Po, po. Vjet në Durrës te rruga nga fundi i Ilirisë për te Plepat, nje vajzë e re për pak sa nuk u rrëzua te një gropë pusete në trotuarin aty pranë. Ajo kheu kokën nga ne dhe tha: ” E ka fajin Rama!. Shikoni si është katandisur ky trotuar!” E kishte gabim kur fajësonte vetëm kryeministrin, po ama kishte të drejtë për gjendjen mjerane e atij trotuari anash zonës qeveritate të Shqipërisë. Shumë gropa, plehra, kabllo dhe trotuar i rrënuar. Nuk bëhet fjalë për disa metra. Në gjendje të mjerueshme është tërë distanca deri ku mbaron zona qeveritare. Madje edhe kangjellat e rrethimit të asaj zone rreth 1800 metra duken si gardh i ndonjë fshati europian mesjetar. Diku me arrna, të gjitha të ndryshkura, jo pak të shtrëmbëruara.
Turistët nuk mund të imagjinojnë se pas atyre kangjellave është vila e Presidentit si dhe ajo e Kryeministrit të Shqipërisë. Ka shumë vite që ajo rrugë u shtrua bukur, duke lënë hapësirë edhe për biçikletat. Ka vite gjithashtu që nuk mirëmbahet, po është lënë në dorë të fatit. Nëpër atë rrugë kalojnë shumë turistë që marrin autobuzin për në Golem.. Një pamje për të vënë duart në kokë është tamam sapo mbaron Iliria. Aty janë 3-4 kazanë të mëdhenj plehrash. Rrallë herë mund të shikosh sheshin nën to të pastër. Gjithmonë plehra të hedhur dhe mbledhësa shishesh që kacavirren në to. E po nuk është detyrë e kryeministrit të qendrojë pas çdo kazani plehrash e pas çdo grope pa kapak pusetash! I takon shërbimit komunal të bëjnë detyrën për mirëmbajtje dhe pastërti, sepse për atë paguhen. U takon kryetarëve të bashkive t’i inspektojnë vendet turistike duke shetitur, edhe me këmbë e jo kaluar fluturimthi me vetura. Po të kishte kaluar andej nga Iliria te Plepat me këmbë kryetari i Bashkisë së Durrësit, pusetave dhe plehrave të asaj zone do t’u ishte gjendur dermani. Po të nevojitej shtim personeli, kishte për t’u gjetur mundësia. Nuk është aq punë fondesh sa neglizhencë e madhe dhe indiferencë për kryerjen e detyrës. Një polici që po kalonte aty me biçikletë, i thashë:” Shiko se ç’bëhet!” I tregova ata që hidhnin plehrat nga kazanët. Qetë qetë ai m’u gjegj:” Kush po e merr vesh se ç’bëhet në këtë shtet!” !? Kapsalliti sytë dhe u largua i qetë .Polici nuk e quante se ishte pjesë e detyrës së tij edhe mbajtja pastër e qytetit?! Edhe nëpunësit e Ministrisë së Turizmit që kanë kaluar andej kanë bërë sikur nuk kanë vërejtur ndonjë gë të shëmtuar?! Pse tërë ky vargan specialistësh të komunales, të shëndetësisë, të policisë, kryetarësh të bashkive dhe nëpunës të turizmit nuk kanë të rrënjosur ndërgjegjen e punës dhe ndjenjën e llogarisë ndaj vartësve, barra pastaj vete e i ngarkohet Kryeministrit. Ai nuk mund të jetë i kudondodhuri në Shqipëri. Ai nuk mund të jetë as Zeusi dhe as Zoti. Po ai ka për detyrë që t’u kërkojë llogari këtyre institucioneve edhe për pastërtinë. Nuk e di sa dhe si e bën.
Di që në Kongresin e Partisë Socialiste ai e preku edhe problemin e PASTËRTISË. Inshallah merren dhe masat e duhura organizative që plehërat mos të na sillen më nëpër këmbë! E lashë për në fund edhe një problem shqetësues për turizmin, sidomos në Sarandë. Atje është bërë një kasaphanë urbanistike nga shtetitorja buzë detit për gjatë rrugës që shkon në Ksamil. Mund të jetë nja 2 km. rrugë deri te hotel Selvia. Trotuaret, edhe aty ku ka, janë vetëm as 2 metra të gjëra. E keqja më e madhe është se nuk është menduar fare se ku do të kenë vendparkimet tërë ato hotele ose ndërtesa shumëkatëshe. Prandaj të gjitha makinat parkohen në të djathtë të rrugës me dy korsi. Lihet pra vetëm një korsi, një anë e ngushtë, për të kaluar makinat?!
Nuk e di se në ç’vend të botës makinat, sidomos në zonat turistike, parkohen në rrugë?! Pse Bashkia e Sarandës e lejon këtë gjendje dhe nuk e vë në pozita pune inspektoriatin rrugor?! Apo ajo i ka urdhëruar ata të heshtin?! Edhe Ministria përkatëse të njëjtën gjë ka bërë për t’ia lënë barrën po Kryeministrit. Fonde të mëdha kërkojnë ndërtimet dhe akomodimet turistike. Ato populli i ka gjetur deri sa peizazhi i zonave turistike ka ndryshuar kaq shumë. Të tjerat si shërbimi i mirë, cilësia e gatimit, mirësjellja janë dhunti e shqiptarëve.. Mbetet shqetësuese ajo që kushton më pak: PASTËRTIA e mjediseve. Ato janë pronë e shtetit dhe i takon atij të kujdeset për to. Deri tani qeveria ka bërë shumë pak për pastërtinë edhe pse kjo është detyrë tejet e rëndësishme për turizmin. Është në interes të të githëve ta paraqesim sa më mirë të bukurën Shqipëri në sytë e turistëve që vijnë nga e gjithë Bota .Në rast se qeveria e ka seriozisht që po i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të çdo lloj turizmi në Shqipëri, le të shpresojmë që të bëjë hapa konkretë dhe jo llafe, llafe dhe vetëm premtime, edhe për PASTËRTINË.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.