Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë bën të ditur se gjatë ditës së djeshme dhe sot, në imeilet dhe në adresë të UGSH mbërrijnë denoncime kolegësh për episode dhe agresione ndaj tyre, gjatë momenteve të raportimit nga përballja e protestuesve me policinë në mjediset para Kuvendit të Shqipërisë.
UGSH ripërsërit denoncimin ndaj akteve dhunuese ndaj gazetarëve, operatorëve dhe fotoreporterëve.
“Organizata jonë kërkon nga Policia e Shtetit të distancohet dhe vërë para përgjegjësisë ata punonjës policie që godasin apo përdorin mjete force ndaj reporterëve në krye të detyrës. Rasti i fotoreporterit Vlasov Sulaj, i cili është përballur dje me agresion fizik nga punonjës të policisë, rasti i dhunës dhe pengimit ndaj reporteres Kleida Muka, sekuenca të të cilit po i bashkëpublikojmë me këtë deklaratë, janë flagrante dhe meritojnë të hetohen”, thuhet në reagimin për mediet.
UGSH thekson se edhe gjatë ditës së sotme, vëren se gjuha agresive e mbarsur me urrejtje dhe patologji ndaj gazetarëve, nëpër rrjetet sociale dhe në disa mediume të reja, janë jo vetëm të papranueshme, por përbëjnë një problem thelbësor për lirinë e raportimit, për pavarësinë e gazetarit dhe janë kërcënim për klimën e shëndetshme të një shoqërie demokratike.
UGSH shprehet më tej në reagimin zyrtar se “është tronditur nga dhuna e ushtruar mbi opinionistin Ilir Demalia, i cili sipas pohimeve zyrtare, ka dëshmuar kurajo qytetare ndaj uzurpatorëve të mjedisit publik, dhe për këtë shkak, është sulmuar barbarisht prej dy personave agresivë. Është e papranueshme që Policia e Shtetit ende nuk i ka vënë nën ndalim autorët e këtij krimi mbi gazetarin”.
UGSH apelon ndaj çdo punonjësi policie dhe ndaj çdo protestuesi, të dëshmojnë respekt, distancim nga akte dhune dhe agresione verbale ndaj gazetarëve.
“Kërkojmë nga kolegët tanë, të dëshmojnë edhe më tepër kurajo dhe këmbëngulje për raportim të plotë dhe të besueshëm mbi bazën e parimeve profesionale, natyrisht duke respektuar edhe ndsrjen mes misionit raportues dhe aktivizmit vetiak. Në të njëjtën kohë, u ripërsërisim autoriteteve të policisë dhe organeve të drejtësisë të procedojnë ligjërisht ndaj çdo agresori dhe shpërndarësi të urrejtjes ndaj gazetarëve në detyrë”, thuhet në deklaratën e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.(Almarina GEGVATAJ)///
ME SHUME LAJME
Rama: Protesta ka shqetësime reale të qytetarëve që duhen dëgjuar
“The Sun”: Shqipëria mes destinacioneve më të lira për pushime verore në Evropë
Kakome. Banorët shtrojnë vetë rrugën drejt plazhit, i ftojnë të gjithë: Tani kalojnë edhe makinat e vogla, ejani sepse është falas