SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Vilson Blloshmi, poeti që u pushkatua nga diktatura

 Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi poetin martir Vilson Blloshmi, pushkatuar nga diktatura komuniste. Vilson Blloshmi lindi më 18 mars 1948, në Bërzeshtë të Librazhdit. Ndoqi shkollën e mesme Pedagogjike në Elbasan dhe pas mbarimit të saj edhe pse me rezultate të shkëlqyera nuk u lejua të vazhdonte shkollën e lartë. Pas diplomimit në Elbasan punoi si bujk, druvar dhe minator.

Gjatë kësaj kohe iu përkushtua shkrimit dhe përkthimit, por pa patur mundësi t’i botojë për shkak të të qenit pjesëtar i një familje “kulakësh”.

Duke qenë me biografi të “keqe”, Vilson Blloshmi përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. U arrestua në vitin 1977 me akuzën “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë”. Ditarët, përkthimet dhe poezitë iu sekuestruan dhe iu nënshtruan hetimit në detaje. Letërsia e tij do të përbente rrezik për regjimin komunist shqiptar. Në datë 13 qershor 1977 Gjykata e Rrethit Librazhd dënoi poetin Vilson Blloshmi dhe poetin Genc Leka me “vdekje me pushkatim”, vendim i cili u zbatua në datë 17 korrik 1977.Në vitin 1994 Vilson Blloshmit iu dha dekorata “Martir i Demokracisë” dhe në vitin 2006, u shpall “Qytetar Nderi” i rrethit të Librazhdit.

Saharaja s’di të ëndërrojë.

Ajo bluan gurë me mend’ e saj…

Saharaja s’ka këngë të këndojë,

Saharaja s’ka as lot të qajë.

Saharaja nuk ka miq e shokë,

Saharaja nuk ka bijë, as bir.

Saharaja është një copë tokë,

Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.

Shkëputur nga poezia e Vilson Blloshmit, me titull “Saharaja”, e konsideruar si vepër penale e “agjitacion e propagandë për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor”.

Aktakuza e cila dënoi me vdekje poetin, ndër të tjera lidhet edhe me këtë poezi për përqasjen e Shqipërisë me shkretëtirën e Saharasë.

error: