Lumi Vjosa, i njohur si një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë, mbetet një prej potencialeve më të mëdha të vendit për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Ecjet në natyrë, vëzhgimi i zogjve, shëtitjet me kajak dhe në natyrë u ofrojnë vizitorëve vendas dhe të huaj mundësinë për të shijuar bukurinë natyrore të paprekur të Parkut Kombëtar të Vjosës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot një kartolinë të gjallë nga Vjosa, mes mjegullës së mëngjesit dhe rrezeve të para të ditës.
Me një biodiversitet të pasur Parku Kombëtar i Vjosës është një parajsë për adhuruesit e natyrës dhe ekoturizmit. Lumi Vjosa u përfshi zyrtarisht në shtator 2025 në programin “Njeriu dhe Biosfera” të UNESCO-s, duke u bërë pjesë e listës së trashëgimisë botërore.
Njohja e lumit Vjosa nga UNESCO rrit ndikimin në nivel ndërkombëtar dhe e bën atë më tërheqës për ata që vizitojnë Shqipërinë për të përjetuar format e larmishme të relievit, jetën e egër dhe diversitetin kulturor të vendit.
Lumi Vjosa është shpallur “Park Kombëtar” nga qeveria shqiptare në mars të vitit 2023, pas përpjekjeve disavjeçare të organizatave shqiptare dhe ndërkombëtare mjedisore për mbrojtjen e këtij lumi nga ndërtimi i digave për hidrocentrale.
Ai është ndër lumenjtë më të mëdhenj të Shqipërisë, sidomos për sa i përket prurjeve të shumta ujore. Me një gjatësi prej 272 km, Vjosa rrjedh nga malet e Pindit në Greqi dhe përshkon territorin shqiptar deri në derdhjen në detin Adriatik.(Maela MARINI).///
ME SHUME LAJME
Njësitë elitë të policisë në Shqipëri e Greqi, stërvitje të përbashkët në Tiranë
Mot me kthjellime, shtim gradual i vranësirave pas mesdite
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll