Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku është qëlluar me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja, i cili për pasojë ka humbur jetën. Nga të shtënat janë plagosur gjithashtu dy persona të tjerë, palë në një proces gjyqësor.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç, palë në proces, ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit Astrit Kalaja dhe shtetasve R. K., 65 vjeç, dhe E. K., 45 vjeç, babë e bir, pala tjetër në proces.
Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën gjyqtari Astrit Kalaja, ndërsa janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimit, kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë të autorit të dyshuar, shtetasit E. Sh., si dhe sekuestrimin e armës së krimit.
Lidhur me ngjarjen është ngritur grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e plotë të rrethanave.
Kush ishte gjyqtari Astrit Kalaja
Astrit Kalaja lindi në Shkodër dhe u diplomua në vitin 1993 në Fakultetin e Drejtësisë. Me një karrierë 32-vjeçare, Kalaja u emërua për herë të parë magjistrat në Shkodër, më 24 nëntor 1993. Në qershor të vitit 2004, deri në janar 2023, Kalaja ishte gjyqtar i Gjykatës së Apelit në qarkun Shkodër, derisa u emërua në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Në vitin 2019, Kalaja u konfirmua në detyrë, duke kaluar procesin e Vetting-ut. Në vitin 2022, gjyqtari u konfirmua në detyrë edhe nga KPA-ja. Kalaja u zgjodh edhe anëtar në Kolegjin Zgjedhor tri herë radhazi.(Klodi SARAÇINI).///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.