Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja renditi sot miratimin e hartës së re gjyqësore, shtyrjen e mandatit të funksionimit të organeve të Vetingut, rritjen e numrit të kandidatëve për magjistratë, lehtësimin e stokut të dosjeve në Gjykatën e Lartë dhe lehtësimin e ngarkesës së gjykatave sa u takon shqyrtimit të dosjeve si 5 arritjet e Reformës në Drejtësi për vitin 2022. Në konferencën për shtyp, së bashku me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, për analizën e punës, Manja po ashtu u ndal dhe në objektivat për këtë vit, ku veçoi si më parësorin zbatimin e hartës gjyqësore.
“Zbatimi i hartës gjyqësore, riorganizimi i gjykatës së shkallës së parë, gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, lehtësimi i ngarkesës së gjykatave sa i takon shqyrtimit të dosjeve të pronave, si dhe hapja e zyrave të ndihmës juridike falas në ambientet e gjykatave që do të mbyllen janë objektivat themelorë“, tha ai.
Sipas tij, harta e re gjyqësore do të zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Lartë Gjyqësor.
“Zbatimi i hartës së re gjyqësore do të nisë më 1 shkurt me riorganizimin e gjykatave të Apelit, duke vijuar më pas me ato të shkallës së parë, për t’u përmbyllur në korrik të 2023-shit me riorganizimin e gjykatave administrative të shkallës së parë“, u shpreh ministri.
Manja deklaroi se arritjet që Shqipëria ka bërë në fushën e drejtësisë, rendit dhe sigurisë publike janë vlerësuar edhe nga BE.
“Drejtësia, rendi dhe siguria publike janë dy kolonat e rëndësishme për shtetin e së drejtës. Nuk u zgjodh rastësisht Tirana për organizimin e ministerialit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian të ministrave të Drejtësisë dhe atyre të Brendshëm. Presidenca çeke e BE-së zgjodhi Tiranën për shkak të arritjeve që Shqipëria ka në fushën e drejtësisë, rendit dhe sigurisë publike”, u shpreh Manja.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI