SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

“Rama rrezikon të marrë mandatin e tretë”/ Topalli: Shqiptarët nuk dinë ku ta çojnë votën, ndaj duhet alternativë

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi te marten se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha lëshoi fushën e betejës dhe nëse një person e bën këtë ai quhet një dezertor, duke iu referuar daljes nga protesta dhe rihyrjes në Kuvend nga ana e PD-së.

E ftuar në një emision televiziv, Topalli tha se “ne nuk ia kemi dalë për të krijuar një kulturë demokratike për të qenë me mendje të hapur e për të dhënë mesazhe që vendi ka nevojë”.

“Kush ka përfituar nga çadra? Kush ka përfituar nga djegia e mandateve? Nëse ti lëshon fushën e betejës ti je një dezertor. Kush përfitoi nga dhurimi i bashkive? Opozita apo Rama?”, tha Topalli.

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka krijuar lëvizjen e re politike “Lëvizja për Ndryshim” për të garuar në zgjedhjet e 25 prillit.

“Sigurisht jam kundër një sjellje politike ku brenda forcave politike, është minimizuar jeta politike, është vrarë vota debati dhe jeta e gjallë brenda strukturave politike. Duke u tkurrur dhe duke u bërë monopol i kryetarëve të tyre, unë ruaj koherencën time, me bindjet e mia, në atë që unë kam besuar çfarë do të thotë një parti politike. Sot skena politike shqiptare ka krijuar një situatë, në të cilën, jo pak sipas sondazheve këto shkojnë në 40%, po të pyesësh se për kë votoni, ata nuk votojnë për Edi Ramën, nuk pranojnë Ilir Metën dhe nuk llogarisin Lulzim Bashën. Ata nuk dinë se ku ta çojnë votën. Prandaj duhet një alternativë dhe ato të dërgojnë votën e tyre e të ndihen të përfaqësuar”, tha Topalli.

Topalli tha se u angazhua për të garuar në zgjedhje për të mos lejuar kryeministrin Rama të sigurojë mandatin e tretë qeverisës.

“Kjo është një betejë kundër kryeministrit i cili ka qenë në komoditetin më të madh të kësaj periudhe me një opozitë që ka bërë pazare me kryeministrin, duke komprometuar misionin e opozitarizmit. Për këtë jam krenare. Kam pasur besimin e bazuar në fakte, që udhëheqja e sotme është komoditeti më i madh, është hipoteka më e madhe që kryeministri aktual është sot në qeveri dhe të rrezikojë të marrë edhe një mandat të tjetër. Këtë nuk e kam si deklaratë, për opinion apo si slogan, këtë e kam të bazuar në fakte, në ngjarje të cilat ne këtu në tryezë e kemi ndjekur gjatë gjithë zhvillimeve të 8 viteve të fundit”, tha Topalli./atsh///

error: