Lulzim Jashari, djali i Adem Jasharit ka vizituar memorialin madhështor të babait të tij ndërtuar në një kompleks në Labinot të Elbasanit.
Memoriali i Adem Jasharit është vendosur nga biznesmeni, Gjergj Luca përkrah memorialit të heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe memorialit të Lekë Dukagjinit.
Në një video të shpërndarë nga Kryeministri Edi Rama, Lulzim Jashari është shprehur se, “është një kënaqësi, është edhe një krenari që e ndjen njeriu brenda vetes. Jo që jemi anëtarë të familjes, por në përgjithësi vlerat kombëtare kur i jepet rëndësia dhe vlerësohen është ndjenjë për gjithë kombin shqiptar.
“Ne e falënderojmë edhe Gjergjin për kontributin dhe për angazhimin me të cilin e ka bërë edhe për vlerat kombëtare edhe për kontributin e tij që ka dhënë edhe në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë që ka punësuar gjithë ato njerëz dhe vazhdon ende e ka gatishmërinë të vazhdoj kontributin për vendin e vetë”, tha Jashari.
I pyetur për luftën e UÇK, Jashari tha se, “lufta e UÇK nuk mund të vihet në pikëpyetje se është derdhur gjak për të dhe lufta që është bërë , është derdhur ai gjak i të gjithë shqiptarëve dhe kontributi dhe i Gjergjit këtu të jep të kuptosh që lufta e UÇK nuk ka qenë vetëm në Kosovë. Ajo ka pasur dimension më të gjerë. Domethënë ka qenë luftë shqiptare, e cila dhe sot po respektohet nga të gjithë shqiptarët. Dhe luftën e UÇK nuk mund ta vërë askush në diskutim”.
Biznesmeni Gjergj Luca ka treguar se nga i erdhi ngacmimi për të vendosur statujën e Adem Jasharit në biznesin e tij në Elbasan.
“Kur kam lindur unë ma kanë vënë emrin Gjergj dhe Gjergjin e kemi vënë aty. Kur kam lindur unë në krahun e djathtë timin më kanë vënë Kanunin e Lekës, e Lekën unë e kam vënë atje. Në krahun e majtë më kanë vënë Lahutën e Malësisë, e ju e shihni nëpër mure Fishtën gjithkund”, ka theksuar Luca.
“Unë jam rritur me këtë frymë me frymën që nëpër odat tona është folur beteja kundër shkjaut. Dukagjinas dhe kushërinj të mi të familjes janë vrarë boll në atë luftë. I ushqyer me këtë frymë , me fjalët më të rënda të babës tim para se të ndërronte jetë që e keqja e këtij kombi është sllavo-komunizmi. Ato vite të vështira më bënë të zgjedh dhe unë heroin tim dhe këtë hero e vumë këtu për ta pasur heroin e qytetit tonë. Nuk është vetëm heroi i familjes së vet, heroi i Kosovës. Është heroi i gjithë kombit shqiptar dhe forca e atij njeriu është që ka dalë përballë dhe ka luftuar sllavo-komunizmin, të keqen më të madhe të kombit shqiptar”, tha Luca.
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit