Kryeministri Edi Rama dërgoi sot për dekretim emrin e ministrit të ri të Brendshëm, pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt.
“Sot do të dërgoj për dekretim te Presidenti, Bledi Çuçin si ministër të Brendshëm dhe Milva Ekonomin si ministre Bujqësie”, u shpreh Kryeministri Rama.
“Dy bashkëpunëtorë të përkushtuar në çdo detyrë që kanë kryer këto vite, me integritet, profesionalizëm dhe kulturë qytetare e politike të padyshimtë”, vlerësoi Rama.
Çuçi mban aktualisht postin e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, detyrë të cilën e mori në janar 2019.
Prej shtatorit të vitit 2013 e deri në mars 2017, Çuçi ushtroi detyrën si Ministër Shteti për Çështjet Vendore dhe Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit. Në këtë detyrë, ai udhëhoqi punën për përgatitjen dhe zbatimin e Reformës Administrative Territoriale, një nga reformat më të suksesshme të mandatit të parë të qeverisë Rama.
Emërimi i Çuçit, ministër i Brendshëm vjen pas dorëheqjes së Sandër Lleshaj nga ky post, pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodjan Rasha nga një punonjës policie.Ndërkohë, Milva Ekonomi është aktualisht kryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Më herët, Milva Ekonomi ka mbajtur edhe postin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes./ATSH///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI