Mjekja pediatre, Gjeorgjina Kule deklaroi se ka pasur shtim të rasteve të prekjes së fëmijëve nga COVID-19.
“Shtimi i rasteve të reja është reflektuar edhe në shtimin e incidencës së infeksionit tek fëmijët. Që nga fillimi i pandemisë deri në fillim të vitit 2021 kemi pasur rreth 1 mijë fëmijë të regjistruar. Sigurisht numri është më i madh, sepse në një familje ku prindërit kanë rezultuar pozitivë dhe fëmijët janë sëmurur, ndoshta ata nuk janë testuar dhe nuk kanë hyrë në listën zyrtare të rasteve pozitive. Por ka pasur raste pozitive. Por nga janari i 2021-t deri më sot është gati gjysma e këtyre fëmijëve të infektuar. Domethënë nëse për 9 muaj neve kemi pasur rreth 1000-1200 fëmijë, tani kemi rreth 700 fëmijë të cilët janë infektuar që nga janari”, u shpreh Kule.
Për sa i përket ritmit të shtrimit në spitale, Kule tha se, “ne kemi një ritëm të shtuar të hospitalizimit që nga nëntori. Pak a shumë është i njëjti ritëm. Kemi pasur raste të shtruara por jo shumë. Duke filluar që nga 1 korriku, janë rastet e para dhe pastaj në nëntor kemi pasur një rritje të shtrimeve, sa në janar kemi qenë në kapacitet të plotë dhe kemi përgatitur skenarët sekondarë, për eventualisht nëse kishim një mbushje të repartit COVID të fëmijëve, sesi do të vazhdojë hospitalizimi”.
Kule u shpreh se, “në 75 % – 80 % janë të ezauruar shtretërit, por akoma nuk mund të themi që jemi në kapacitet të plotë”.
Sa i përket formave klinike tek fëmijët, Kule tha se, “shumica e rasteve kalojnë në kushte familjare me mjekim simptomatik. Pra me ulës temperature, ndonjë vitaminë, lëngje me shumicë, sepse fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj humbjes së lëngjeve që mund të bëhet nga temperatura, nga të vjellat, nga diarreja që shpesh herë shoqëron sëmundjen”.
Ndërsa sa i përket fëmijëve të hospitalizuar, Kule tha se janë prekur edhe foshnje.
“Fëmijë shumë të vegjël, pra foshnjet 2-muajshe, 1-muajshe, madje dhe të porsalindur të infektuar nga nëna, të cilët kanë bërë një ecuri me komplikacione, me pneumoni, me infeksione respiratore. Pavarësisht që graviteti i këtyre infeksioneve nuk ka qenë shumë i madh, mosha e fëmijëve me një komplikacion, pra me pneumoni bilaterale, një fëmijë njëmuajsh sigurisht që do trajtohet”, u shpreh ajo.
“Momentalisht kemi të shtruar 12 fëmijë, 2 prej të cilëve janë në terapi intensive, por në situatë stabël të qëndrueshme, nuk janë të intubuar”, tha Kule.
“Për sa i përket kategorisë tjetër të prekjes së fëmijëve është përgjigjja inflamatore e ekzagjeruar, – tha Kule, duke shtuar se, – disa muaj pas fillimit të pandemisë kur që në fillim theksohej që fëmijët kalojnë më lehtë, ka forma shumë të lehta simptomatike, pastaj dhe nga vetë OBSH dolën disa përkufizime sa i përket përgjigjes së ekzagjeruar inflamatore të fëmijëve, e cila konsistonte në sëmundjen e Kavasakit, që ne e kishim parë dhe më parë në situata të tjera, dhe në përgjigjen inflamatore multisistemike. Në fakt ne kemi goxha fëmijë që nga fillimet të shtruar me këtë sindromë”./ata///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit