Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli sot të dhëna interesante për kafenenë dhe restorantin e famshëm të Tiranës së viteve ‘30, Kafe Kursal, duke e shoqëruar me një foto të kohës, pjesë e arkivave.
A e dinit se Kafe Kursal, një nga kafe-restorantet më të njohura të gjysmës së parë të shek. XX në Tiranë, emrin e kishte marrë nga klinikat kurative të Europës veriore?.
Kafe “Kursal” ishte një ishull europian i Tiranës së viteve ’30, si për nga arkitektura e arredimi, po edhe për shërbimin e lartë! Ndodhej aty ku kryqëzohen rruga e Durrësit dhe e Kavajës, pranë ish-Parlamentit (sot Teatri i Kukullave).
Emri i kafenesë nuk na thotë asgjë në shqip, por po të mendohemi pak, Kursal gjen gjegjësin e vet “kuursaal” të gjermanishtes, që në Europën veriore përdoret për banjat termale dhe mjediset kurative lidhur me to.
“Sigurisht, Kursali ynë nuk ka asnjë lidhje me kuptimin fillestar të fjalës. U ndërtua në fundvitet ’20 dhe ishte një ndërtesë njëkatëshe, me dy kulla në pjesën perëndimore, të stilit japonez. Lokali frekuentohej kryesisht nga elita e kohës, politikanë, ministra, deputetë, intelektualë, por edhe personel i huaj, i akredituar në kryeqytet, si dhe tregtarë, vendas dhe të huaj”, thuhet në njoftimin e DPA-së.
Në vitin 1938, në kafe “Kursal” u hap një sallon i veçantë për shkollë vallëzimi modern nga prof. Stathi dhe në mjediset e tij janë hapur ekspozita pikture të artistëve shqiptarë. Pas Luftës II Botërore u rrafshua si trashëgimi borgjeze, duke rrafshuar, simbolikisht, edhe atë çikë kurim shpirti që mund të gjenin frekuentuesit e barit në kohën e rendit të ri politik që po agonte.
DPA ka publikuar një imazh kartoline që ruhet në Fototekën e Arkivit Qendror Shtetëror, ku duket Kafe Kursal, fotografuar nga tarraca e ndërtesës së dikurshme të Bashkisë së Tiranës. Aeroplani mbi të është montazh artistik, për t’i dhënë pamje idilike-moderne peizazhit të qytetit./ATSH///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI