Ambasada amerikane në Tiranë përshëndeti sot vendimin e djeshëm të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha që Sali Berisha nuk do të jetë anëtar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike pas shpalljes “non grata” nga DASH.
“Vendimi i vështirë i shpallur dje nga kryetari Lulzim Basha meriton respekt. Ky vendim demonstron se, ashtu siç ndodhi 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë, Partia Demokratike ka kurajon për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen, për të ndihmuar që ta udhëheqë Shqipërinë përpara”, u shpreh ambasada amerikane.
Ambasada shton se Shtetet e Bashkuara kanë pasur një marrëdhënie të veçantë me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj dhe “presim me kënaqësi të punojmë më ngushtë se kurrë me kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi dje, lidhur me shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha nga DASH, se “ka vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të çështjes në rrugë gjyqësore, Sali Berisha nuk do të jetë anëtar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike”.///
ME SHUME LAJME
Kërkohej për tentativë vrasje, forcat speciale greke arrestojnë shqiptarin
FOKUS – Si të qetësoni dhimbjen e kokës pa përdorur ilace?
Sarandë. Kryebashkiaku Çaçi: Saranda do të ketë edhe dy muzeume të rinj, një arkeologjik dhe një detar