–
Së shpejti për drejtuesit e automjeteve do të aplikohet leja e re e qarkullimit të mjetit rrugor, e cila do të kushtojë më lirë dhe nuk do të ketë afat vlefshmërie.
Lajmin e bëri të ditur sot kreu i DPSHTRR, Blendi Gonxhja, i cili dha detaje mbi dokumentin e ri.
“Sot paguhet 3,500 lekë për lejen aktuale, certifikatën e pronësisë dhe lejen ndërkombëtare të mjetit! Leja e re që unifikon dokumentet e mjetit në 1 do kushtojë vetëm 2,100 lekë, -40%. Leja e re nuk do ketë vula kolaudimi, pra nuk do bëhet e pavlefshme nga mungesa e vendit për vula si leja aktuale. Leja e re nuk ka afat vlefshmërie dhe përfshin të dhëna sipas kodeve të BE, datë regjistrimi për herë të parë, vit prodhimi, qiramarrës, etj”, tha Gonxhja.
Po ashtu, ai theksoi se “leja e re unifikon të dhënat dhe eliminon certifikatën e pronësisë së mjetit”.
“Leja e re nuk dëmtohet nga lagështia ose palosjet, nuk griset si leja aktuale. Ajo përmban elementet e sigurisë si: watermark – logo identifikuese në brumin e letrës speciale që dallohet vetëm nëse shikohet përmes dritës; fluorescent fibres – fije fluoreshente që dallohen vetëm me rreze ultraviolet; fluorescent imprints – logo identifikuese e dallueshme vetëm me rreze ultraviolet; hologramë – stampë e shndritshme e integruar në materialin e letrës nga prodhuesi me dizajn të personalizuar”, tha ai.
Kreu i DPSHTRR-së njoftoi se “leja e re do ketë edhe QR code drejtpërdrejt nga sistemi eDPSHTRR, mikrotekst, vizatim e grafika që ndryshojnë ngjyrën në këndvështrime të ndryshme drite, etj”.
“Cilësia dhe vetitë e letrës së lejes së re do të jenë speciale, e njëjtë me dokumentet e qarkullimit gjermane. Zvogëlohet në maksimum mundësia e manipulimit të të dhënave, për pasojë garantohet besueshmëria në qarkullim për çdo verifikim nga autoritetet brenda/jashtë vendit. Leja e re do jetë më e vogël, me tre pjesë, më praktike e rezistente, si edhe me çdo të dhënë të mjetit, të kodifikuar. Falë cilësisë, sigurisë dhe përputhshmërisë me Direktivën 1999/37/EC e 29 Prillit 1999 (e përditësuar, 2014), ajo eliminon nevojën për Leje Ndërkombëtare Mjeti! Qytetari lehtësohet nga kosto e angari që përsëritej çdo tre vjet”, tha Gonxhja.
Ndërkohë, ai sqaroi se “leja e re do të jepet për veprimet e reja me mjetin dhe nuk do të jetë e detyrueshme për qytetarët që kanë lejen aktuale të mjetit”. ///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI