Nënkryetarja e PD-së Jorida Tabaku deklaroi sot se SPAK duhet të ndëshkojë grupin e strukturuar kriminal pas inceneratorëve.
Në fjalën e saj në Kuvend, Tabaku u shpreh se “kur katër vite më parë nga kjo foltore ftova në interpelancë ish- ministrin e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, pakkush e besonte se afera e inceneratorëve do mbante kaq erë”.
“Asokohe pak dihej për inceneratorët, por me aq pak sa kishim njohuri dhe kishim dokumente në dispozicion mundëm të evidentojmë shkelje të turpshme që flisnin qartë për një aferë korruptive dhe kriminale në kurriz të shqiptarëve.Ende më kujtohet se sa lehtësisht dhe mendjemadhësi e kishte trajtuar qeveria atë skemë dhe aferë korruptive.Po ta shohësh këtë aferë të inceneratorëve të duket si simfonia e korrupsionit. Gjithçka nis si sot 7 vjet më parë, ku qeveria shqiptare ndërmori një akt të denjë për çmimin Guiness. Aplikoi një super procedurë me 17 hapa brenda një dite për të kurorëzuar kompaninë e krijuar as tre muaj përpara dhënies së koncesionit me vlerë 100 mijë lekë si fituese të 22 mln eurove nga taksat e shqiptarëve.Kështu, me një të rënë të lapsit kompania Albtek Energy do të fitonte një kontratë me çelësa në dorë me vlerën e 22 mln eurove që do të shkonin në xhepin e Stela Gugallja. Forma e kontratës është ajo e çelësave në dorë, që do të thotë se kompania e Stela Gugalljas do të merrte pagesat sapo të firmoste kontratën që u firmos po në atë ditë që u fitua gara që nuk ishte as garë. Mendoni që i keni parë të gjitha? Gaboheni! Si një simfoni që vjen me rritje edhe qeveria vendosi që të abuzojë sërishmi me pushtetin e saj korruptiv duke i dhuruar një tjetër incenerator një kompanie me emrin Integrated Technology Waste Treatment Fier në pronësi të Klodian Zotos por që ka të njëjtën adresë me kompaninë e Stela Gugallja”, tha Tabaku.
Tabaku shtoi se këtë vit deputetët e Fierit nga PS dhe nga PD do të jenë mbushur me mesazhe për gjendjen katastrofale të Fierit që u mbyt nga plehrat e djegura. Inceneratori ka marrë mbi 22 mln euro dhe ende sot e kësaj dite është i mbyllur, nuk punon.
“Dhe pikërisht atëherë kur dikush mendon që qeveria ka zënë mend, pikërisht atëherë qeveria jep një tjetër koncesion të inceneratorëve. Ky është në fakt qershia mbi tortë, inceneratori i Tiranës.Krijesa më monstruoze e korrupsionit, që sipas kontratës reale do t’i kushtojë shqiptarëve 430 mln euro. Kush e fitoi? Kush tjetër përpos se njeriut që fshihet pas Klodian Zotos dhe Stela Gugalljas, i mirënjohuri Klodian Mirel Mërtiri i cili vetë ai fsheh pas tij peshqit e mëdhenj të kësaj historie. Në Samitin e Demokracisë të këtij viti, Sekretarja e Thesarit Janet Yellen e përkufizoi kështu korrupsionin: “Korrupsioni në fund të fundit është një lloj forme e alkimisë financiare. Ai është një shndërrim i fuqisë në para të pistë apo e parave të pista në pushtet dhe në mënyrë që ai ta mundësojë atë transformim, ka nevojë për aktorët e këqij si ndërmjetës, ka nevojë për një vend ku të vendosë paratë e pista; pra ka nevojë për një kompani guaskë…” Koncesioni i inceneratorëve i ka të gjitha elementët e mësipërm. Ka njerëz të pushtetet që kanë shndërruar pushtetin e tyre për të përfituar para në mënyrë të paligjshme, ka njerëz me para të pista që kanë përdorur paratë e tyre për të krijuar kompani offshore që pastrojnë ato para. Ka biznesmenë me lidhje me politikanë të korruptuar për të ngritur biznese fiktive.”.
Po ashtu, Tabaku në vijim, shtoi se e gjithë skema e inceneratorëve nuk është vetëm se një hartë e operimit e një grupi të strukturuar kriminal.
“Për këtë arsye askush nga ne sot nuk është i gëzuar që SPAK ka arrestuar Lefter Kokën, që padyshim është përgjegjës për këtë aferë. Pasi çdokush prej nesh, përfshirë edhe anën tjetër të këtij parlamenti e kanë të qartë që Lefter Koka nuk është i vetëm në këtë lojë. Mjafton t’ju përmend se sot në bankën e të akuzuarve duhet të jetë edhe deputeti Alqi Bllako që është zbuluar se ka një lidhje korruptive sepse babai i tij ka përfituar miliona në formë nën-kontraktimi nga kompanitë e inceneratorëve kur Bllako ishte sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Kokës.Mjafton të përmendim se Zv Kryeministri Arben Ahmetaj ka udhëtuar me Klodian Mirel Mërtirin dhe të tjerë ndërkohë që ai ka përfituar nga një kontratë që edhe Arben Ahmetaj e ka provuar 3 herë.Mjafton të kujtojmë që Sekretari Organizativ i PS-së, Damian Gjiknuri ka qenë edhe ai në udhëtime me Klodian Mirel Mërtirin dhe po ai ka dhënë dakordësinë për ndërtimin e këtyre inceneratorëve. Madje ai ka dhënë dakordësinë edhe për shitjen e energjisë që ato gjoja do prodhonin.E mbi të gjitha, askush nuk harron se si kryeministri Edi Rama doli personalisht në media për të mbrojtur këtë aferë korruptive dhe kriminale. Të gjithëve na kujtohet se si në resht për një i vendosi socialistët për t’i çuar tek inceneratori i Elbasanit që sot është “skenë krimi”.Prandaj sot, pakkush nga ne është i kënaqur jo vetëm sepse përditë e më shumë po zbulojmë që ka “hajdut dy metra” por sepse fatkeqësisht ky “hajdut dy metra” vazhdon të na bëjë rolin e njeriut që nuk di”, tha ajo.///
ME SHUME LAJME
MEMORIE. Sot kujtojmë Prof. Moikom Zeqon, intektualin e rrallë.
Media italiane “TgYou24”: Mes plazheve dhe trashëgimisë kulturore, Shqipëria në krye të tendencave turistike
Himara mes destinacioneve më të kërkuara nga britanikët për verën e 2026-ës