SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Basha: PD s’do bëhet bunker për hallet e Berishës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se “Sali Berisha kërkon ta kthejë Partinë Demokratike në një bunker për interesat e veta”.

I ftuar në një studio televizive, Basha tha se pretendimet për blindimin e selisë të PD-së janë marrëzira.

“Keni harruar që të tregoni që kemi edhe tanke në bunker, edhe helikopterë të tarracë, kemi edhe snajperë, edhe marinsa mbrapa në aneks. Këto janë të gjitha marrëzira dhe është e trishtueshme që viti i ri në Shqipëri, shqiptarët i gjen me një ngjarje të tillë të servirur ndërkohë që ata përballen me probleme reale, rritja e çmimeve, varfëria, ekonomia, papunësia, emigracioni. Këto janë problemet e atyre që na ndjekin në këto momente dhe jo përpjekja e një njeriu për të marrë peng Partinë Demokratike, për ta kthyer atë në një bunker, për të instrumentalizuar demokratët e dëshpëruar nga masakra zgjedhore e 25 prillit dhe për t’i përdorur si mish për top për interesat e tij. Ndërsa të tjerat janë thjesht manipulime. Asgjë s’ka ndryshuar, në zyrën time mund të vini që nesër për një kafe ta shikoni që është e njëjta që ka qenë”, tha Basha.

Sipas tij, “Partia Demokratike në fakt ka një tjetër interes, të jetë e hapur për të gjithë demokratët, që kurrë mos të kthehet në një bunker për interesat e një njeriu të shpallur non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të shoqëruar nga të tjerë non-grata që duan ta përdorin shtëpinë e lirisë për interesat e tyre personale, aq më keq për hallet e tyre personale, në raport me non-gratat apo në raport me drejtësinë”.

Basha tha se “PD nuk do të bëhet bunker as për hallet e Berishës që është kthyer në tubë oksigjeni për Edi Ramën”.

“Në fakt janë ata një pakicë absolute që po përpiqen ta kthejnë Partinë Demokratike në bunker. Ndërkohë që Partia Demokratike nuk do të bëhet bunker as për hallet e Sali Berishës, as të atyre që e shoqërojnë dhe që kanë probleme të ngjashme apo dhe më të rënda. Sigurisht ka mes tyre shumë demokratë të cilët janë të zhgënjyer, të dëshpëruar nga masakra zgjedhore. Ata janë meraku im. Kurse për këta që bëjnë shfaqje, këta në radhë të parë duhet të vijnë në Parlament duhet të bëjnë detyrën për të cilën i kanë votuar demokratët, se kanë 4 muaj që s’kanë parë derën e Parlamentit. Këta duhet të shkojnë në zonë të qajnë hallet e njerëzve. Janë kthyer në tubë oksigjeni për Edi Ramën, se edhe sot, edhe dje kanë plasur skandale të tjera. Ka plasur skandali që vërteton që patronazhistët janë një sistem kontrolli i partisë shtet”, shtoi ai.

Sipas Bashës, “çdokush që është një funksionar i Partisë Demokratike apo çdo demokrat që ka punë në Partinë Demokratike, sipas rregullave të institucionit mund të futet në Partinë Demokratike”.

“Nga ana tjetër po, po bëhen punime. Ka pasur ndryshime strukturore, janë shtuar sekretariatet, Komisionet e Këshillit Kombëtar do të fillojnë së shpejti funksionimin. Siç thuhet në gjuhën popullore, ka tulla dhe llaç dhe për këtë arsye janë marrë dhe masa të devijimit të hyrje daljeve. Po gjithë kjo xhalo, po e përsëris dhe një herë, po bëhet për të tërhequr vëmendjen nga 2 fakte kryesore.E para, që kemi të bëjmë me një lëvizje që ka synim kryesor ta shkatërroj PD-në, që një institucion si familje me rregulla, për një familje demokratike, e cila i shërben demokratëve dhe jo halleve të një personi dhe së dyti, ta zhvendos tërësisht vëmendjen nga skandalet qeveritare, duke i bërë kështu shërbimin më të mirë Edi Ramës dhe dëmin më të madh Partisë Demokratike dhe interesit publik të shqiptarëve”, tha ai.///

error: