– Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot 91-vjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit të shquar Mihal Grameno.
Ai është një ndër figurat e atdhetarizmit shqiptar, publicist, shkrimtar dhe veprimtar i lëvizjes patriotike e demokratike.
Mihal Grameno lindi në Janar të vitit 1871 në Korçë. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Në moshë të re emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku u lidh me shoqërinë patriotike shqiptare “Drita”.
Në vitet 1907-1908 iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit dhe së bashku me luftëtarët e çetës kombëtare luftuan në Shqipërinë e Jugut për çlirimin kombëtar. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë, punoi për lëvizjen e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm. Më pas vazhdoi veprimtarinë si publicist duke mbrojtur idealet demokratike.
Mihal Grameno është një ndër novelistët e parë të letërsisë sonë. Kështu përmendim novelat e tij “Oxhaku” (1909), “E puthura” dhe “Varri i Pagëzimit”. Ai shkroi dy veprat: komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe dramën historike “Vdekja e Pirros” (1906), të cilat trajtojnë tema patriotike. Gjithashtu, Mihal Grameno drejtoi gazetat “Lidhja orthodhokse” (1909-1910) dhe “Koha” (1911-1926). Vdiq në Korçë më 1931.
Në kuadër të 91-vjetorit të vdekjes së patriotit Mihal Grameno dhe të programit “Edukimi përmes Kulturës”, u organizuan dy aktivitete midis Muzeut Historik Kombëtar dhe shkollës 9-vjeçare “Mihal Grameno” në Tiranë.
Aktiviteti i parë u fokusua tek figura dhe veprimtaria e atdhetarit Mihal Grameno, ku një përmbledhje e figurës së tij u prezantua nga specialistët pranë Sektorit të Programeve Edukative në muze.
Aktiviteti i dytë ishte ai me titull “Muzeu im”. Nxënësit kishin sjellë nga shtëpitë e tyre objekte të vjetra, që me kalimin e viteve dashur padashur kanë marrë dhe vlera muzeore. Ky projekt ka për qëllim që edhe qytetarët të jenë më afër muzeut dhe muzeu të jetë më afër shkollave duke sjellë sendet e tyre të vjetra./atsh///
ME SHUME LAJME
Kulturë. Përkthyesi Vangjel Zafirati boton në Greqi antologjinë me poezi bashkohore shqipe “VARGJET QË VRANË POETIN”
Një karrocë fëmijësh për kryeministrat
Policia masa shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore