Në 105-vjetorin e lindjes së intelektuales Musine Kokalari, bashkia e Gjirokastrës organizoi aktivitetin e titulluar “Testamenti i Musinesë”.
Përfaqësues të institucioneve publike, pushtetit vendor, të afërm të Musine Kokalarit, intelektualë, studiues, etj., vlerësuan kontributin e rëndësishëm të saj për një Shqipëri demokratike dhe të zhvilluar.
“Musine Kokalari ishte një grua e rrallë që shenjoi një epokë dhe udhëhoqi përpjekjet për emancipim të gruas shqiptare, një mendje e bukur dhe shpirt i lirë që s’u dorëzua deri në frymën e fundit. Në bashkëpunim me familjen Kokalari synojmë kthimin e shtëpisë së saj në Gjirokastër, në muze që do të jetë edhe një atraksion tërheqës për turistët”, u shpreh kryetari i bashkisë, Flamur Golemi.
Përgjatë këtij aktiviteti u ekspozuan relike dhe dokumente nga jeta e Musine Kokalari si dhe u shfaq filmi dokumentar “Nusja me shifon të zi” kushtuar jetës së saj.
Musine Kokalari ka qenë një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit XX.
Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke pas qenë themeluese e Partisë Socialdemokrate dhe organit të shtypit “Zëri i lirisë”, u arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit.
Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI