Nga Vangjel SAKO
E pakuptimta e ka shoqëruar këtë të shkretë Shqipëri në vite e shekuj. Asnjëherë këto troje nuk kanë jetuar të qeta. Edhe kur na ka shkelur këmba e okupatorit, por edhe kur ai nuk është i pranishëm, ne përleshemi me njëri-tjetrin. Edhe kur na komandojnë të tjerët, por edhe në të kundërtën, ne hidhemi gjysma kundër gjysmës tjetër. Dhe asnjëra prej dy gjysmave nuk ia ka dalë të shkëlqejë në drejtimin e vendit. Vetëm në hedhjen e ziftit kundër njëri-tjetrit kemi aftësi të papara. Absurditet në politikë, absurditet në ekonomi, në shoqëri…
Menduam se ja lamë kohës poshtërsitë, po ato na janë ngjitur dhe sa vijnë dhe shtohen. Dënuam ca byroista se kishin harxhuar kafe më shumë se popullata dhe na dolën ca byroistë të tjerë që janë krimbur në pasuri, rrëmbyer nga kjo e shkreta Shqipëri. E lamë pas atë kohë kur një familje me dy apo tre kurora jetonte në dy dhoma e kuzhinë dhe na kanë dalë ca agallarë të rinj që kanë nga 10, 15, 20 apo më shumë shtëpi. Qindra-mijëra të tjerë një shtëpi nuk po e legalizojnë dot, ata me urdhër të peshkut bëhen pronarë të pallateve të tëra. Erdhi Artan Lame në krye të kadastrës dhe ne thamë se do të jetë aq i mirë sa është kur tregon për dyfekë e kobure me mulli por… aha, edhe ai si gjithë të tjerët. Llomotit aq shumë dhe aq shpejtë sa t’i mendon se gjete zgjidhje, por më kot. Nuk përton t’u japë certifikatë pronësie me izmën e “sulltanit” atyre që kanë lënë bjeshkët që gjithsesi i kanë nën pronësi dhe kanë zaptuar ajkën e tokave në bregdet apo rreth qyteteve dhe nuk gjen zgjidhje për ata që kanë dhënë tokën e të parëve për të ngritur pallate sipas planit urbanistik dhe zhvillimit të qytetit, por pse jo edhe për interesin e tyre, apo kanë harxhuar kursimet e një jetë në emigracion.
Shteti e ka dorën e gjatë dhe të rëndë dhe parashikon të zgjidhë çdo problem me të cilat hasin qytetarët e vetë. Shteti i mirë nga ai i keqi këtë ka etalon. Mirëpo ky shteti i Lamës nuk po e bën këtë gjë. Bënë sehir (gjë që nuk duhet ta bëjë) kur shikon protesta, kërcënime e deri vrasje midis atyre që me të drejtë kërkojnë certifikata pasurie dhe ndërtuesve që ndihen rehat, megjithëse janë shkaktarët e kësaj tollovie. Shteti po dhe vetë Lamja as që do t’ia dijë për vendime gjyqi apo certifikata pronësie kur bëhet fjala për të marrë në emër të zhvillimit, por hiqet i pafuqishëm kur duhet të japë. Për të mos e fshehur kokën si struci, po i pohoj Lames se edhe unë jam një prej atyre qindra-mijëra qytetarëve shqiptar që kam problem me marrjen e certifikatës së pronësisë. Kam dhënë sipas të gjitha rregullave dhe ligjeve shqiptare banesën dhe truallin për ndërtim pallati, kam 12 vjet që jetoj në pallatin e mbaruar, por ende nuk e gëzoj pronësinë e banesës. Flas në emër të pothuajse 150 familjeve të të njëjtit pallat. Kjo sepse në kadastër më tregojnë që ndërtuesit kanë marrë dy sekuestro për pallatin: Problem me zyrën e tatim-taksave në një shumë prej 400 milionë lekësh dhe nuk po gjejnë gjuhën e duhur me nja 5-6 familje të një fisi që kanë qenë para pushtimit italian pronarë të një pjese tokë ku është ndërtuar pallati. Se ç’lidhje kanë 150 familje të këtij pallati me detyrimin financiar që kjo firmë ndërtimi ka ndaj shtetit këtë duhet ta dijë Lamja dhe vartësit e tij që nuk na japin certifikatat e pronësisë. Kur flas për vete dhe 150 familjet e pallatit ku unë banoj, kam parasysh se të njëjtin shqetësim kanë mijëra të tjerë, një pjesë e madhe e të cilëve më kanë kontaktuar dhe kanë kërkuar ndihmë për zgjidhje përmes mediave për këtë problem.
Mësoj se vetëm në qytetin e Vlorës janë gati 4000 familje që kanë problem me certifikatën e pronësisë. Kanë bërë akt marrëveshjet e sakta me ndërtuesit, kanë vënë në dispozicion truallin dhe banesat e tyre apo të tjerë kanë paguar shumat që u është kërkuar dhe sot nuk gëzojnë asnjë dokument për pronësinë e tyre. Dhe nuk mund të bëjnë asnjë transaksion që do t’u ishte me interes. Ka me qindra familje që kanë lënë bosh shtëpitë në qytetet e tyre dhe jetojnë me qira të larta në Tiranë për arsye shkollimi dhe punësimi ndërkohë që fare mirë, nëse do të kishin certifikatën e pronësisë mund të shisnin atë dhe të blinin një të tillë ku duan të jetojnë. Një gjitoni im ka 5 vjet që pret të marrë certifikatën, të shesë shtëpinë dhe të shkoj të pleqërojë në Kanada tek fëmijët, por nuk e bën dot. Mund të tregoja plot raste të tjera, deri edhe tragjedi me humbje jetë njerëzish, por jam i sigurt që edhe ti i ke dëgjuar. Ndërtuesit as që duan t’ia dinë për një zgjidhje të shpejtë dhe gjejnë një mijë e një arsye dhe argument për këtë. Më e shumta të drejtojnë nga gjykata sepse aty e dinë që fitojnë ata, sepse aty të tregojnë sekuestron dhe e lajnë veten. E kemi provuar dhe këtë rrugë dhe veç sorollatjeve pa fund (gjyqi do kohë dhe lekë thotë populli) dhe nuk kemi gjetur zgjidhje, certifikatat e pronësisë nuk janë marrë ende. Në interesimin individual me drejtues të hipotekës mësoj se certifikatat e pronësisë janë gati, por është urdhri i sekuestros që nuk i lë të shpërndahen. Më duhet të përsëris edhe një herë pyetjen e mësipërme: Ç’lidhje ka certifikata ime e pronësisë me sekuestron që i është bërë pallatit se ndërtuesi ka detyrime financiare ndaj tatim-taksave? Këto janë pjesë e shtetit dhe ky të ndërhyjë menjëherë për t’i dhënë zgjidhje problemit. Nëse ndërtuesi nuk shkon vetë të shlyejë detyrimin, shkon shteti dhe ja merr. Ky shtet njeh edhe detyrimin edhe falimentimin. Sepse në shumë raste (nëse Lamja nuk e di po besoj se e ka kaq informacion, ia jap unë adresat e sakta) shumë prej këtyre firmave, ndonëse kanë problem të mbartura në vite me qytetarë të shumtë vazhdojnë të qetë ndërtime të tjera duke e zmadhuar gropën e problemeve dhe më shumë qytetarë i fusin në depresion.
Unë ja kërkoj certifikatën e pronësisë të banesës sime Artan Lames, se sot për sot ai është shefi i sektorit përkatës, por edhe për arsye të tjera. Forca politike e Lames në këtë 30 vjeçar të demokracisë ka drejtuar shtetin për pothuajse gjysmën e kohës. Meqenëse problemi që ne po trajtojmë nuk është i freskët, por i mbartur qysh nga vitet e para pas ’90, Lamja të paktën këtë 10 vjeçarin e fundit duhet të kishte vrarë mendjen me ekipin e tij dhe duhet ta gjente një zgjidhje që gjithsecili të marrë atë që i takon. Duke qëndruar indiferent ose të paktën inaktiv në zgjidhjen e këtij problemi, Lamja me shokë nuk ma bën vetëm mua “gropën”, por edhe Shqipërisë sepse një nga kushtet për të qenë në një hap me shtetet moderne të Europës është edhe zgjidhja e problemit të pronësisë. Mesa duket Lamja e ka më të lehtë që të mos i japë zgjidhje këtij problem duke çuar shumë shqiptarë në gjykatat europiane të cilat janë gati, ashtu siç kanë bërë deri tani ta dënojnë vendin tonë me gjoba të rënda. Jam i bindur se me miratimin e ligjit që dëmet që shkaktohen ndaj shtetit apo individit do të dëmshpërblehen nga shkaktarët individualë, edhe Artan Lame e kompani do të gjejnë një zgjidhje për problemin që diskutojmë.
Zgjidhja më e thjeshtë që ma kanë rekomanduar edhe avokatë nga më të mirët në vend, por edhe specialistë që merren me problemin e pronave është ndarja e problemit që mund të lindin midis ndërtuesit dhe një apo disa përfituesve dhe dhënia e certifikatës për ata persona që nuk kanë probleme me ndërtuesit. Sot po veprohet si në socializëm kur fajin e një individi e paguante kolektivi, kur fajin e një personi e paguante i gjithë fisi. Artan Lame jepi drejtim kësaj pune, më lejo mua dhe qindra familjeve të ndershme që kanë sakrifikuar për një banesë t’u tregojnë punonjësve tuaj dokumentacionin e plotë dhe të saktë dhe në shkëmbim të bëhemi pronarë të asaj prone që na takon! Ne nuk duam lëmoshë, vetëm të drejtën tonë!///
ME SHUME LAJME
“The Telegraph”: Shqipëria mes 10 vendeve më mikpritëse për turistët
Mot i kthjellët, vranësira kalimtare në relievet malore
Rritja e çmimeve të karburanteve, Mitsotakis shpall paketën 300 milionë euro me masa lehtësuese