- IN MEMORIAM pë profesorin e frëngjishtes në Gjirokastës –
Nga Ylli ASLLANI
Dedikim Z. Petro Isufi, pedagogut tonë të gjuhës dhe qytetërimit francez.
Në Gjirokastrën e gjysmës së dytë të shekullit të XX –të, në Liceun e Qytetit, te ndërtuar pothuaj 100 vjet më parë nga francezët, vetëm arkitektura e godinës dhe Z. Petro kishin ngelur ende mishërim i kulturës perëndimore. Në qytetin tonë të çuditshëm socialist Profesori ishte bërë proverbial në sjelljet, shije, veshje, stil jete, korrektësi dhe standard pune duke personifikuar kështu civilizimin e lëndës që na mësonte.

Me thjeshtësinë e vet, finesën, mënyrën e kulturuar të jetesës dhe cilësitë e tij të veçanta na kujtonte thënien e Balzakut se ” kjo botë e madhe rrotullohet rreth gjërave te imta “Pas sharmit dhe elegancës së tij, në klasë ai shndërrohej në një makineri të pandalur dijesh e përkushtimi për nxënësit! Për këtë arsye na kishte tërhequr në botën e tij virtuale të cilën ne mezi prisnim ta kontaktonim në çdo orë të frëngjishtes.. .Profesor Petro nuk ishte moralist, nuk parapëlqente të merrej me politikën e ditës, prandaj ai predikonte vlerat universale njerëzore… Vetëm kultura e dija të bëjnë të lirë, porosiste herë pas here.
Patriotizmin dhe arsimin ai e konsideronte jetik, por edhe modë për brezin e ri, qytetarinë – aleate të progresit dhe injorancën – armik të atdheut.Atdhedashuria e tij ishte realiste, pa partishmëri, jo patetike dhe tepër moderne…E vlerësoj mësuesin tim sa herë flitet për integrimin ne BE, si dhe nevojën e plotësimit të standardeve qytetare evropianë në jetën e përditshme… “ Nuk mund të njohësh gjuhen e kulturën e të tjerëve pa njohur kulturën tënde…”, përsëriste shpesh.Predikonte një të ardhme nëpërmjet punës dhe arsimimit, përkundrejt dembelizmit e teorive bosh!
Dita e tij fillonte një orë para orarit zyrtar dhe nuk ndalte deri në orët e vona të mbrëmjes. Ishte profesionist i shkallës superiore dhe kishte metodën e tij të mësimdhënies, larg skematizmit të kohës. Me një rritëm të paparë çdo ditë ai kalonte qindra nxënës në filtrin e imët të vlerësimit dhe induktonte tek ata njohuri, dije dhe civilizim.
Nuk e shprehu kurrë me fjalë zhgënjimin që ishte rikthyer nga perëndimi( si kulturë të menduari) në një diktaturë, sepse nuk e konsideronte produktive. Edhe pse në fakt, kjo ndihej në çdo hap të tij elegant që hidhte në kalldrëmet e qytetit gri. Z. Petro na fliste pambarimisht për studimet dhe vitet e rinisë të jetuara ne France e më pas në Stamboll, duke theksuar se popujt e përparuar e pregatisin vetë të ardhmen.
E donim te gjithë, pasi ai nuk kishte zgjedhur mllefin për të sfiduar realitetin, por edukimin qytetar, modelin e jetesës dhe evokimin e rrethanave të një shoqërie ndryshe… Fjalori dhe mendësia e tij e hapur nuk u deformua për asnjë cast nga rrethanat e kohës, pavarësisht sjelljes së tij të kulturuar. Ndaj ai do te konsiderohej prej gjimnazistëve gjirokastritë si e vetmja dritare nga ku mund te shikonim një model dhe realitet ndryshe nga ai qe na ofrohej…E kujtoj më shpesh tashti qe nuk është më! Sidomos kur afrohet ndonjë përvjetor i Gjimnazit, dhe sa herë më duhet të flas gjuhën qe na pat mësuar…///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI