SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Kumbaro: Presim mbi 6 milionë vizitorë, sezoni turistik sjell flukse të reja

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro deklaroi sot se pavarësisht krizës në Ukrainë, Shqipëria këtë vit parashikon të kapë shifrën e 6 milionë vizitorëve të huaj sepse Shqipëria është një vend i sigurtë dhe ka diversitet të turizmit.

Kumbaro foli sot nga Gjirokastra në një intervistë televizive në prag të sezonit turistik. “Në Gjirokastër po punohet që prej vitit 2015. Kantieret kanë filluar me restaurimin e Qafës së Pazarit, kanë vazhduar me fasadat, me kalldrëmet, ujësjellësin. Nga ana tjetër, e kemi kthyer pazarin në këmbësore, sepse nuk mund të kemi turizëm në Gjirokastër duke pasur makinat në qarkullim. Po ashtu kemi kantiere të hapura si “Sheshi i Çerçizit”, parkimi nëntokësor”, tha ajo duke folur për investimet në këtë qytet.

Kumbaro tha punimet e Pazarit kanë përfunduar dhe kjo i ka dhënë gjallëri turizmit. “Parkingu do të mbarojë këtë vit, do jetë gati për vitin tjetër. Kemi dy kantiere muzeale që është shtëpia e Kadaresë dhe Muzeu Etnografik, ajo që quhet shtëpia e diktatorit që besoj do të jetë një atraksion për turistët. Pa harruar kalanë që mbetet ikonë e qytetit dhe krijon atraksion për turistët”, tha ajo.Duke folur për situatën e turizmit në Gjirokastër, Kumbaro tha se kemi humbur turistë nga Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia por ka flukse të reja.

“Është e vështirë pas situatës së tërmetit dhe të pandemisë. Jemi për fat të keq në një krizë të tretë siç është lufta në Ukrainë. Do kemi një minus për sa i përket turistëve që vinin nga Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia ku operatorët më kanë informuar se 130 mijë turistë nuk do të vijnë. Megjithatë, kemi flukse të reja që janë riorientuar. Edhe për Gjirokastrën periudha e pandemisë krijoi një tjetër sinergji. Jo vetëm Gjirokastra, por e gjithë zona është një mrekulli dhe po të vazhdojmë me hartën e agroturizmit këtu ka mundësi që çdo ditë të bësh dy-tre gjëra të reja”, vuri në dukje Kumbaro.

Ajo shtoi se periudha e pandemisë i orientoi turistët në zbulim të territorit, pra jo thjesht Gjirokastrën por edhe agroturizmin duke i nxituar banorët e këtyre zonave të investojnë dhe kjo është energjia pozitive që u krijua në vitin 2020.

“Viti 2021 në shifra ishte shumë më i mirë nga çfarë mendonim dhe besoj do rrijë në ato shifra rreth 6 milionë turistë për vitin 2022, por mbetet për t’u provuar. Ne nuk po e ndalim promovimin dhe po ndjekim tregje të cilat ndryshojnë për shkak të krizave”, theksoi Kumbaro. Duke folur për ndikimin e pandemisë dhe tërmetit në turizëm, Kumbaro tha se e mori model Gjirokastër si një Shqipëri e vogël sepse ajo që ka ndodhur në Gjirokastër ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë.

“Janë hapur agroturizme të reja në zonën e Tropojës, Pukës, Shkodrës, Lezhës, Gramshit, Elbasani, Korçës, në Ersekë dhe këto kriza kanë riorientuar flukse, por nga ana tjetër ka një orientim të ri dhe të flukseve ndërkombëtareve dhe po të shikojmë tre muajt e parë të këtij viti turistë që vijnë nga Greqia, Italia dhe Franca janë më të shumtë se vitin e kaluar. Kjo ndodh se Shqipëria rezulton të jetë një ndër vendet më të sigurta. E dyta, është një destinacion i ri që të bën kureshtar. E treta, në njësinë e kohës në një distancë të shkurtër kalon në një diversitet të turizmit nga bora te deti. Këto tre muaj turistët janë orientuar te objektet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Shqipëria ka dhe një treg të ri këtë vit që është Holanda. Në vitin e kaluar në bashkëpunim me televizionet holandeze bëmë një reality show, më i ndjekuri në Holandë nga 4 milion shikues dhe kjo shihet se ka një interes të madh nga Holanda. Po të njëjtën punë po bëjmë me kanalin francez mbi Shqipërinë dhe turizmin”, tha ajo.

Në lidhje me turizmin patriotik, Kumbaro u shpreh se beson se turistët nga Kosova do jenë besnikë për të pushur në Shqipëri sepse bregdeti është i tyre.“Turizmi është rajonal sepse shkon përtej Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Është një turizëm që do jetë solid dhe i vazhdueshëm. Jemi në një komunikim me Kosovën për të njoftuar publikun, tregjet për lëvizjen e turistëve si nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas por më shumë nga Kosova në Shqipëri sepse bregdeti ynë është i tyri. Gjatë gjithë stinëve hotelet vazhdojnë të jenë të preferuar nga turistë e Kosovës dhe jam e bindur se ato do të jenë vizitorët më besnikë të bregdetit”, tha ajo.

Duke folur për shifrat e turistëve, Kumbaro parashikon të ruhet trendi i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë në vitin 2019. “6 milionë dhe 400 mijë vizitorë të huaj kishim në vitin 2019 dhe jemi në vitin 2021 me 5.6 milionë. Pavarësisht krizës në Ukrainë ne do t’i kapim shifrat e turizmit”, tha ajo. Në vijim, Kumbaro shtoi se këtë vit do të kemi plazhe shumë më të pastra, falë Planit të Pastrimit Kombëtar. “Kemi ngritur grupet e monitorimit të mjedisit për kontrollin e cilësisë së territorit punë të cilën e kemi filluar që në tetor. Plani i Pastrimit Kombëtar nuk është ndalur asnjë ditë. Kjo do të përforcohet në vijën e bregdetit dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit do t’u bashkohet bashkive për të dyfishuar kapacitete mirëmbajtëse të pastrimit në menaxhimin e mbetjeve që shkaktohen nga mbipopullimi i plazheve. Kështu do të kemi plazhe shumë më të pastra”, tha Kumbaro./atsh///

error: